Rajon

Republika e Kosovës, Ditë zie në nderim të akademikut Rexhep Qosja

24.04.2026 14:31

Dita e premte 24 prilli 2026 është shpallur Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës....

Në nderim të jetës dhe veprës së shkrimtarit të mirënjohur, publicistit, politikanit dhe akademikut, Rexhep Qosja, i cili vdiq të enjten, më 23 prill, me vendim të Ushtrueses së Detyrës Presidente e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Dita e premte 24 prilli 2026 është shpallur Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës.
 
“Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet.”, shkruan Haxhiu. 
 
Nën përkujdesjen e saj janë organizuar edhe homazhe përkujtimore dhe është hapur Libri i Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja. Vepra e Rexhep Qosjes padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij, ka shkruar kryeministri Albin Kurti pas njoftimit për vdekjen e shkrimtarit. 
 
"Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e inspirimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.", shkruan Kurti, duke u shprehur ngushëllime familjes dhe miqve. 
 
Ngushëllime për vdekjen e akademik Qosjes kanë shprehur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali. Rexhep Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ai është autor edhe i romaneve: "Vdekja më vjen prej syve të tillë",  "Një dashuri dhe shtatë faje", "Nata është dita jonë", "Bijtë e askujt", apo "Të fshehtat e treguara". Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Rexhep Qosja ka dhënë kontributin e tij edhe në zhvillimet politike në Kosovë. Ai mes tjerash ishte edhe pjesë e delegacionit shqiptar në Rambujë. Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptar, Rexhep Qosja, lindi më 25 qershor 1936, në Vuthaj të Malit të Zi, ndërsa vdiq të enjten 23 prill në moshën 90-vjeçare në Prishtinë. Nipi i tij, Valjet Rexhepi, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se Qosja është varrosur të enjten në një ceremoni private familjare. Akademiku Qosja kishte kërkuar që të varroset pa ritual fetar dhe pa praninë e autoriteteve zyrtare.
 
GYLTENE SINANI