Botë

Lindja e Mesme, tensione ShBA - Iran për Ngushticën e Hormuzit

24.04.2026 14:51

ShBA-ja po zhvillon plane për të goditur mbrojtjen iraniane në Ngushticën e Hormuzit...

ShBA-ja po zhvillon plane për të goditur mbrojtjen iraniane në Ngushticën e Hormuzit, nëse armëpushimi me Iranin dështon. Armëpushimi është vënë në provë dhe tensionet janë rritur pasi Donald Trampi urdhëroi sulme ndaj anijeve iraniane që vendosin mina për të bllokuar trafikun në ngushticë. Këto kërcënime vijnë në një kohë të një konfiskimi të ri të një tankeri të lidhur me kontrabandën e naftës iraniane. Presidenti amerikan paralajmëroi se nuk do të nxitojë për një marrëveshje për përfundimin e luftës.
 
“Nuk dua të nxitoj. E shkatërrova vendin ushtarakisht në katër javët e para. Tani vetëm po presim të shohim çfarë marrëveshje mund të arrihet. Nëse nuk duan marrëveshje, do ta përfundoj ushtarakisht. Ata janë nën presion kohor. Madje as nuk e dinë kush e udhëheq vendin. Janë në trazira.”, - deklaroi kryetari i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Teherani i hodhi poshtë pretendimet për përçarje të brendshme dhe theksoi se prioritet nuk është më çështja bërthamore, por përfundimi i luftës dhe mbrojtja e interesave kombëtare. Irani deklaroi se bllokada e porteve dhe sulmet ndaj anijeve janë shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe akt agresioni.
 
“Pretendimet se Irani nuk mund të marrë vendime janë projeksion. Çështja kryesore është përfundimi i luftës dhe sigurimi i interesave tona. Bllokada dhe sulmet ndaj anijeve janë shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Nëse nuk ka vullnet të mirë nga ShBA-ja, si mund të ketë besim për një marrëveshje më të gjerë?”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baga.
 
Ndërkohë, Izraeli dhe Libani, pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, e zgjatën armëpushimin edhe për tre javë. Por, vetëm disa orë pas njoftimit u regjistruan sulme të reja. Izraeli njoftoi se po pret dritën jeshile nga ShBA-ja për të vazhduar sulmet ndaj Iranit.
 
“Izraeli është i gatshëm të vazhdojë luftën kundër Iranit. Objektivat janë përcaktuar dhe po presim dritën jeshile nga ShBA-ja, mbi të gjitha për të përfunduar eliminimin e dinastisë Khamenei. Këtë herë do të jetë vdekjeprurëse, do të kryejmë goditje shkatërruese duke rrëzuar themelet e regjimit terrorist iranian.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Izrael Katz. 
 
Situata në Lindjen e Mesme ishte një nga temat e samitit të liderëve të BE-së në Qipro. Ata theksuan se armëpushimi duhet të vazhdojë dhe ngushtica duhet të rihapet. 
 
“Ngushtica e Hormuzit duhet patjetër të hapet pa kushte, patjetër ta arrijmë këtë. Nëse negociatat fokusohen vetëm në programin bërthamor pa ekspertë në tryezë, atëherë do të kemi një marrëveshje më të dobët se ajo e mëparshmja. Nëse nuk zgjidhen problemet në rajon, raketat, mbështetja për grupet pro-iraniane dhe sulmet hibride kibernetike në Evropë, atëherë do të kemi një Iran më të rrezikshëm.”.
 
Ende mbetet e paqartë nëse dhe kur do të vazhdojnë bisedimet mes ShBA-së dhe Iranit, pasi negociatat e planifikuara nuk u zhvilluan. Irani kërkon heqjen e bllokadës, ndërsa ShBA-ja kërkon hapjen e ngushticës për qarkullim ndërkombëtar.


NERMIN MULAKI FEJZULLAHU