Maqedoni
Gjykimi për rastin “Puls", u mbajt seancë përgatitore për 9 zyrtarë policorë
24.04.2026 15:13
Në Gjykatën Penale u mbajt seanca e parë përgatitore për rastin e diskotekës “Puls” në Koçan...

Në Gjykatën Penale u mbajt seanca e parë përgatitore për rastin e diskotekës “Puls” në Koçan, ku përfshihen nëntë zyrtarë policorë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare. Sipas Prokurorisë, policët me mosveprimin e tyre kanë mundësuar që diskoteka të pajiset me licencë për punë. Ata kanë qenë të obliguar të kontrollojnë rendin dhe qetësinë publike, si dhe sigurinë në komunikacion. Të njëjtit kanë nënshkruar se objekti i plotëson vendet e parapara të parkimit, edhe pse nuk ka qenë e vërtetë.
“Bëhet fjalë për kontrolle që shërbimet policore sipas detyrës zyrtare i realizojnë në drejtim të vërtetimit të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe në drejtim të sigurisë në komunikacion që ka të bëjë me vendimet e sigurisë së komunikacionit të cilat janë të lidhura me punën e një objekti të tillë, siç ishte klubi "Puls".”, - deklaroi prokurorja publike, Spasenka Andonova.
Mbrojtja e të akuzuarve theksoi se vepra për të cilën akuzohen është e papranueshme dhe se pafajësia do të vërtetohet vetëm përmes provave përkatëse. Mbrojtja njoftoi se një nga provat kyçe që do të paraqesë është ndërprerja e hetimeve ndaj këtyre zyrtarëve policorë për vepra të rënda kundër sigurisë publike.
“Kjo është vetëm dëshmi për atë që mbrojtja e thotë gjatë gjithë kohës se me të vërtet zyrtarët policorë nuk mund të përgjigjen për atë më të keqen që u hap hetimi i Prokurorisë në fillim. Gjithsesi se do të dëshmojmë se të akuzuarit nuk janë fajtorë për veprat penale me të cilat ngarkohen në aktakuzë.”, - theksoi avokati, Asmir Alispahiq.
Si Prokuroria ashtu edhe mbrojtja kanë dorëzuar listën e dëshmive përmes së cilave do t'i përplasin argumentet. Përveç këtij rasti, zyrtarë policorë të lidhur me diskotekën “Puls” po ndiqen penalisht edhe në dy raste të tjera të ndara, mbi baza të ndryshme.
FLORIJE KAMBERI
