Maqedoni
Eliminimi i Qeverisë teknike, presidentja e gatshme të nënshkruajë dekretin
24.04.2026 15:33
Presidentja e shtetit mbështet iniciativën për shfuqizimin e Qeverisë teknike...

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, mbështet iniciativën për shfuqizimin e Qeverisë teknike, por fton për dialog politik. Ajo thotë se do ta nënshkruajë dekretin ligjor në rast se i njëjti do të miratohet në Kuvend.
“Për mua ndryshimet në ligjin për qeveri, që kanë të bëjnë me Qeverinë teknike, edhe atëherë dhe tani janë jo kushtetuese. Gjegjësisht, në vetë tekstin ligjor ka dispozitë se Qeveria teknike do të funksionojë në vitin 2016. Ne e vazhduam funksionimin e saj, kuptohet se ka Qeveri teknike në botë, por jo të këtij lloji. Qeveritë teknike janë qeveri të ekspertëve, të burokratëve për të garantuar zgjedhje fer dhe demokratike. Dekretin për Qeverinë do ta nënshkruaj kuptohet, por do të doja që sikurse u miratua ligji edhe tani të ketë debat dhe të shihen anët e mira dhe të këqija.”, - deklaroi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
Filipçe: Do t’i përdorim të gjitha mekanizmat
Por, LSDM nuk heq dorë nga kërkesa për tërheqjen e ligjit. Thonë se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat për të mbajtur në jetë Qeverinë teknike.
“Fillimisht do ta braktisim debatin dhe pjesëmarrjen në grupet e punës për kodin zgjedhor, nëse ky ligj për Qeverinë nuk tërhiqet. Pas kësaj do të shohim se si do të veprojmë më tej. Por, do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat demokratike, pasi që qytetarët nuk e meritojnë këtë. Deri tek ne po arrijmë shumë më shumë reagime dhe kërkesa, iniciativa ka nga qytetarët, jo nga anëtarët partiakë, nga qytetarët janë të të gjitha niveleve, pasi shohin dhe kuptojnë se çfarë po ndodh.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Heqja e Qeverisë së Përzhinës është kundërshtuar edhe nga BDI, përderisa VLEN-i konsideron se modeli 100 ditësh qeverisje nuk është më i nevojshëm.
MERAL ISMAILI
