Maqedoni
Ndalesa për dyshtetësi, Siljanovska: Edhe për ministra dhe president
24.04.2026 15:45
Kërkesa e LSDM-së, që ndalesa për dyshtetësi të vlejë edhe për ministrat, mbështetet nga presidentja e shtetit...

Kërkesa e LSDM-së, që ndalesa për dyshtetësi të vlejë edhe për ministrat, mbështetet nga presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova. Ajo konsideron se ndalesa për shtetësi të dyfishtë duhet të përfshijë edhe presidentin e shtetit.
“Unë mendoj se ligji duhet të përfshijë edhe presidentin e shtetit dhe ministrat. Ekziston ligji për Qeveri, aty mund të vendoset kjo zgjidhje. Ligj për president nuk ka, është në Kushtetutë, por do të duhet të vlejë edhe për presidentin.”, - deklaroi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
Filipçe: Të vlej edhe për deputetët aktualë
Kryesocialdemokrati Venko Filipçe vlerëson se pushteti nuk i ka konsultuar ekspertët kushtetues gjatë përpilimit të ligjit, që të aktrojnë patriotët. Filipçe thotë se ndryshimet duhet të vlejnë edhe për këtë përbërje parlamentare, e jo siç thuhet në propozim nga zgjedhjet e ardhshme.
“Të gjithë të japim deklarata se nuk kemi shtetësi tjetër dhe nuk kemi atdhe rezervë. Përse ikin nga ligji për Qeveri? Si ne mund të besojmë se ministra në Qeveri, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë, nuk punojnë për interesat e shteteve të huaja. Si mund të jemi të sigurt?”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski ftoi deputetët të konsultohen me ekspertë para se të miratojnë ndryshimet ligjore nëse të njëjtat janë në përputhje me Kushtetutën. Propozim-ligji për ndalesën e dyshtetësisë ka kaluar filtrin e parë në Kuvend dhe tani pritet debati në komisione.
MERAL ISMAILI
