Maqedoni
Tragjedi në Kisella Vodë, një punëtor humbi jetën, katër të tjerë u lënduan
24.04.2026 15:55
Në një tragjedi të madhe që ndodhi mëngjesin e së premtes në lagjen Kisella Vodë të Shkupit...

Në një tragjedi të madhe që ndodhi mëngjesin e së premtes në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, një punëtor ka humbur jetën, ndërsa katër të tjerë janë lënduar. Ata u mbuluan nga dheu gjatë gërmimeve dhe përgatitjes së terrenit për ndërtimin e një ndërtese të re.
“Sot (24.04.2026) në orën 08:17 në SPB Shkup është raportuar se në një kantier ndërtimi në rrugën Kozjak në Shkup, gjatë gërmimit të themeleve, tre punëtorë janë mbuluar nga dheu. Prej tyre, dy janë nxjerrë dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë janë dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, ndërsa në koordinim me Qendrën për Menaxhimin e Krizave (QMK) dhe Brigadën e Mbrojtjes nga Zjarri po ndërmerren masa për nxjerrjen edhe të personit të tretë.”, - deklaroi Goce Andreevski nga MPB.
Viktima, sipas informacioneve, është 34 vjeç.
Në Qendrën e Urgjencës Kirurgjikale janë dërguar katër pacientë, tre pacientë kanë lëndime më të lehta, ndërsa njëri më të rënda.
“Janë sjellë tre pacientë të lënduar në aksident, ku njëri pacient 34 vjeç, ka lëndime më të lehta dhe aktualisht ndodhet në vëzhgim në Qendrën Urgjente dhe me gjasë do të lirohet për trajtim në shtëpi. Një pacient 39-vjeçar është sjellë me dislokim të bërrylit të majtë; është bërë repozicionimi dhe imobilizimi i tij, dhe ai do të shtrohet në repartin e traumatologjisë deri të shtunën. Pacienti më i rëndë është pranuar në KARIL; ai ka lëndime në kofshën e majtë dhe në kërcirin e djathtë, pa lëndime të tjera shoqëruese, dhe është në përgatitje për trajtim operativ në KARIL.”, - theksoi mjeku në Qendrën Urgjente, Oliver Arsovski.
Dëshmitarët okularë përshkruajnë ngjarjen.
“Dëgjova diçka sikur u derdh, kur shikova, dheu nga muri rrëshqiti poshtë, pasi ishte gërmuar shumë thellë, kishte punëtorë që punonin dhe papritur u zhdukën; pashë vetëm kokën e njërit që bërtiste fort për ndihmë. Në atë moment u trondita, u frikësova, zbrita poshtë dhe fillova të bërtas.”, - tha një dëshmitare.
“Kjo është tragjedi dhe nuk e di si mund të ndërtohet ndërtesë pranë ndërtesës dhe të gërmohet afër themeleve.”, - tha një dëshmitare tjetër.
Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup ka kryer ekspertizën e vendit të ngjarjes.
“Prokurori publik ka lëshuar urdhër për obduksion të të ndjerit. Në drejtim të hetimit të shkaqeve të aksidentit dhe respektimit të rregulloreve për mbrojtjen në punë, po veprojnë edhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe inspektori komunal i ndërtimit.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike – Shkup.
Ndërkohë, Sindikata e Ndërtimtarisë kërkon një hetim urgjent dhe të thelluar, si dhe marrjen e masave konkrete për të mos lejuar që të ndodhin tragjedi tjera, si ajo e ditës së premte në Kisella Vodë.
ARMEND MURSELI
