Maqedoni

Durmishi në Zhelinë, mbështetje për bizneset, por sfidat mbeten

24.04.2026 16:03

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, qëndroi në Zhelinë ku bashkë me kryetarin Blerim Sejdiu vizituan disa kompani vendore....

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, qëndroi në Zhelinë ku bashkë me kryetarin Blerim Sejdiu vizituan disa kompani vendore. Ai tha se bizneset do të kenë mbështetje nga institucionet përmes ligjit për përkrahje financiare, megjithëse sfidat në terren mbeten.
 
“Kemi dalë që të tregojmë se nuk jemi vetëm për të dëgjuar hallet, por edhe për të vepruar si Qeveri… ju mundësojmë zhvillim, rritje të kapaciteteve dhe vende të reja pune.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
 
Kreu i Zhelinës, Blerim Sejdiu, theksoi investimet në infrastrukturë dhe mbështetjen për sektorin privat.
 
“Kompanitë do të kenë përkrahjen tonë. Kemi investuar në infrastrukturë dhe besojmë se sektori privat është shtyllë e zhvillimit.”, - theksoi kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
 
Afaristët thonë se kriza globale dhe mungesa e fuqisë punëtore mbeten problemet kryesore. 
 
“Kriza na ka prekur të gjithëve, por sfida më e madhe është mungesa e punëtorëve, pasi shumë të rinj janë larguar.”, - u shpreh një afarist.
 
Edhe pse është në fuqi ligji për punëtorët sezonalë, sektorë si gastronomia dhe ndërtimtaria vazhdojnë të përballen me mungesë të madhe të fuqisë punëtore.
 
VISAR SADIKI