Maqedoni

Reagime për tragjedinë në Kisella Vodë

24.04.2026 16:08

Siguria është prioritet dhe nuk duhet të jetë çështje politike...

Siguria është prioritet dhe nuk duhet të jetë çështje politike, porositi kryetarja e Komunës së Kisella Vodës, Beti Stamenkovska Trajkovska, pas ngjarjes tragjike në këtë komunë, ku një punëtor ndërtimi ndërroi jetë dhe tre u plagosën në një aksident në mëngjes në një kantier ndërtimi në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, ku u varros nën dhe gjatë gërmimit të themeleve. Ajo po ashtu përcolli ngushëllime deri tek familjarët e personit të vdekur, ndërsa u dëshiroi shërim sa më të shpejtë të lënduarve.
 
“Shprehim keqardhje të thellë për humbjen e një jete të një njeriu, dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së punëtorit të vdekur. Siguria e qytetarëve dhe e punëtorëve është prioritet dhe nuk duhet të jetë çështje për pikë politike. Në këtë moment institucionet përkatëse janë duke vepruar dhe janë në shqyrtim të të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin në fjalë. Komuna është në bashkëpunim të ngushtë me institucionet dhe do të veprojë në përputhshmëri me të gjitha mendimet dhe porositë të cilat do të vijnë.”, - deklaroi kryetarja e Komunës së Kisella Vodës, Beti Stamenkovska Trajkovska.
 
Nga ana tjetër, këshilltarët e LSDM-së në këtë komunë kanë kërkuar të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal, dhe të merren masa urgjente, por edhe përgjegjësi për tragjedinë në fjalë.
 
“Kemi dorëzuar një kërkesë që të thirret një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal të Komunës së Kisella Vodës, dhe në atë seancë kërkojmë që të sillen disa vendime konkrete, siç janë: formimi i një komisioni të pavarur, i cili do të realizojë një kontrollim të tërësishëm të rrethanave, të cilat kanë çuar deri tek vendimi final për dhënien e lejes së ndërtimit në të gjithë territorin e komunës. Pastaj vendosja urgjente e një moratoriumi të të gjitha aktiviteteve ndërtimore, deri në momentin kur të dëshmohet se të njëjtat janë të sigurta dhe në përputhshmëri me ligjet.”, - thanë nga LSDM.
 
Nga komuna pohuan se janë të hapur për diskutim, por vendimet të cilat do të merren duhet të jenë të bazuara në fakte dhe argumente, të cilat do të dalin nga analizat dhe jo nga paragjykimet. 
 
FITIM KRYEZIU