Tragjedia në Kisella Vodë, të lënduarit në gjendje stabile
Katër të lënduarit në tragjedinë në Kisella Vodë...

Katër të lënduarit në tragjedinë në Kisella Vodë, ku një person humbi jetën gjatë punimeve ndërtimore, janë në gjendje stabile. Sipas mjekëve, tre pacientë që kanë qenë të shtruar në repartin e traumatologjisë janë liruar për trajtim shtëpiak, ndërsa një pacient është operuar dhe ndodhet në gjendje stabile.
“Tre pacientët që ishin të pranuar në repartin e Traumatologjisë sot do të lëshohen në trajtim shtëpiak, me rekomandim për kontrolle të mëtejshme. Ndërsa pacienti tjetër, i cili u operua dje dhe u pranua në Klinikën për Anestezi, Reanimacion dhe Trajtim Intensiv, është në gjendje stabile. Është i vetëdijshëm, kontakton dhe nuk ka dhimbje. Ai mbetet nën vëzhgim në klinikë dhe presim që në ditët në vijim ta transferojmë në repart.” – tha Oliver Asovski, udhëheqës i repartit të Traumatologjisë.
Pas ngjarjes tragjike, prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup ka kryer ekspertizën në vendin e ngjarjes, për të vërtetuar shkaqet e aksidentit dhe respektimin e rregullave për mbrojtje në punë.
Sindikata e Ndërtimtarisë ndërkohë kërkon hetim urgjent dhe të thelluar, si dhe marrjen e masave konkrete për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të tilla, si ajo në Kisella Vodë.
Përndryshe investitor i ndërtesës është ish-kryetari i komunës së Aerodromit, Ivica Konevski, ndërsa kompania ndërtuese është kompania Jakimovski. Sipas Konevskit janë respektuar të gjitha procedurat dhe janë miratuar të gjitha lejet për ndërtim. (Ersan Pajaziti, TVM2)
