Përplasje për lojërat e fatit, BDI akuzon për kazino pranë varrezave

25.04.2026 15:49

BDI kërkon sqarime nga qeveria...

BDI kërkon sqarime nga qeveria, duke pretenduar se në afërsi të varrezave në Bllacë po ndërtohet një objekt që sipas tyre është në pronësi të një kompanie për lojëra fati. Partia gjithashtu kërkon përgjigje pse u tërhoq ligji që parashikonte largimin e kazinove nga afërsia e shkollave.

“Nëse konfirmohet se aty po ndërtohet objekt për veprimtari të lojërave të fatit, atëherë kemi të bëjmë me një nga vendimet më të papërgjegjshme dhe më fyese ndaj ndjenjave të qytetarëve. Varrezat nuk janë vend për kazino.Kërkojmë menjëherë: Të publikohet destinimi real i objektit dhe gjithë dokumentacioni përkatës. Të ndalen punimet deri në sqarimin e plotë të rastit. Të hetohet se si është lejuar një veprimtari e tillë pranë varrezave. Të respektohet vullneti dhe ndjeshmëria e qytetarëve të kësaj zone” – tha Imrane Veliu nga BDI.

Përplasje për lojërat e fatit, VLEN: BDI ka krijuar sistemin e kazinove

Nga VLEN kundërpërgjigjen duke thënë se BDI po tenton të manipulojë me tema që vetë i ka prodhuar për vite me radhë. Sipas VLEN-it BDI për vite me rradhë e kthyen industrinë e lojërave të fatit në arkë politike, ndërsa sot sillen sikur nuk dinë gjë.

“E vërteta është e thjeshtë. Kur BDI flet për kazino, në prapavijë flet kutia e zezë e Artan Grubit. Ajo kuti për vite me radhë e mbajti këtë sektor nën kontroll përmes dorës së tij të djathtë, të arratisurit Përparim Bajrami, e licencoi, e menaxhoi dhe e ktheu në mekanizëm për ndikim politik, presione dhe interesa të ngushta. Sot BDI nuk po zbulon problem, por po pengohet në gjurmët e veta”, - theksojnë nga VLEN, nga ku thonë se kutia e zezë e Artan Grubit do të flasë dhe do të bëhet e qartë se kush, ndër të tjera, e ndërtoi perandorinë e kazinove. (Ersan Pajaziti, TVM2)