Lufta në Lindjen e Mesme, raund i ri i bisedimeve në Islamabad

25.04.2026 17:20

Nën masa të rrepta sigurie...

Nën masa të rrepta sigurie, në Islamabad po bëhet një përpjekje e re për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme. Në kryeqytetin e Pakistanit, delegacione nga Uashingtoni dhe Teherani do të tentojnë të vendosin një dialog indirekt. Shtëpia e Bardhë pretendon se Irani është i gatshëm të përmbushë kërkesat e SHBA-së.

“Pamë njëfarë progresi nga pala iraniane në ditët e fundit. Përsëri, presidenti mori vendim të dërgojë Steve dhe Jared për t’i dëgjuar iranianët. Do të shohim çfarë do të thonë këtë fundjave” – tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Ndërkohë, tre aeroplanmbajtëse amerikane kanë patrulluar pranë Gardës Revolucionare të Iranit, e cila po vendos mina në ujërat e Ngushticës së Hormuzit.

Sekretari i Mbrojtjes theksoi se janë të përgatitur për çdo skenar. Hegseth akuzoi Evropën se flet shumë, por nuk bën mjaftueshëm për mbrojtjen e këtij korridori të rëndësishëm detar.

“Evropa dhe Azia kanë përfituar nga mbrojtja jonë për dekada, por koha e ‘udhëtimit falas’ ka mbaruar. Amerika dhe bota e lirë meritojnë aleatë që janë të aftë, besnikë dhe që kuptojnë se aleanca nuk është një rrugë njëkahëshe, por dykahëshe. Ne nuk mbështetemi te Evropa, por atyre u nevojitet Ngushtica e Hormuzit shumë më tepër sesa neve” – deklaroi Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth.

Siguria e Bashkimit Evropian lidhet ngushtë me zhvillimet në Lindjen e Mesme. Sipas Brukselit, rikthimi i shpejtë i stabilitetit në rajon është në interes të të gjithëve.

“Ngjarjet e shtatë javëve të fundit kanë treguar rrezikun real që një Iran bërthamor do të paraqiste për botën. Nuk mund të ketë stabilitet në Lindjen e Mesme apo në Gjirin Persik ndërsa Libani është në flakë. Prandaj bëjmë thirrje për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit. Pauza e përkohshme nuk mjafton. Na duhet një rrugë e qëndrueshme drejt paqes” – theksoi Presidentja e Komisionit Evropian,  Ursula Von Der Leyen.

Pas zgjatjes së armëpushimit mes Tel Avivit dhe Bejrutit, të dyja palët po akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, pasi në përleshjet në jug të Libanit u vranë gjashtë persona, për të cilët Izraeli thotë se ishin militantë të armatosur të Hezbollahut. (Ersan Pajaziti, TVM2)