Kongresi i pediatrisë, alarm për mungesën e barnave pediatrike
Sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut...

Sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po përballet me mungesa serioze të terapisë moderne për fëmijët që vuajnë nga sëmundjet respiratore.
Gjatë punimeve të Kongresit të katërt të pediatrisë, ekspertët alarmuan se mungesa e inhalatorëve dhe preparateve bashkëkohore për fëmijët nën moshën 6-vjeçare po i detyron prindërit t'i kërkojnë ilaçet në vendet fqinje.
"Kemi barna për moshat nga 18 vjeç, për ato nga 12 vjeç, mirëpo neve na duhen për fëmijë të vegjël. Nuk kemi ashtu aparate inhalimi, preparate inhaluese për moshat nga 6 vjeç apo për mosha më të vogla, kështu që kemi ende shumë punë për të bërë. Megjithatë, kjo lidhja që po krijojmë, ky është viti i katërt që po bëjmë kongres në një nivel aq të lartë, kemi rreth 320 pjesëmarrës, gjë që do të thotë se jam vërtet shumë e kënaqur. Thjesht, kjo na shtyn të jemi të lidhur për edukim.” – tha Tatjana Jaqovska, pediatër.
“Problemi është se ne nuk i kemi ato preparate në Maqedoni, një pjesë të tyre, nga barnat bashkëkohore për trajtimin e një pjese të sëmundjeve respiratore, andaj pacientët ndoshta janë të detyruar të shkojnë në vendet fqinje që të furnizohen me barnat e tyre të domosdoshme, nëse trajtohen me qasje bashkëkohore. Ka zëvendësues, mirëpo ata zëvendësues janë gjeneratë e vjetër e barnave." – deklaroi Mirjana Popovska, pediatër në Spitalin e fëmijëve “Kozle”.
