Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje: PDK dhe LDK të japin tre emra për president

25.04.2026 18:08

Lëvizja VETËVENDOSJE ka dalë me një propozim të ri...

Lëvizja VETËVENDOSJE ka dalë me një propozim të ri për zgjidhjen e ngërçit rreth zgjedhjes së Presidentit, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që të propozojnë së bashku tre kandidatë konsensualë për president. Sipas propozimit, tre kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike.

Për secilin prej tyre synohet të sigurohen të paktën 90 nënshkrime të deputetëve në Kuvend.

Nga VETËVENDOSJE bëjnë të ditur se, në rast të arritjes së marrëveshjes, do të tërhiqen nga gara emrat e propozuar më parë, përfshirë Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun.

“Kemi ofruar mundësinë që PDK dhe LDK, qoftë me dakordim të sjellin tre emra, qoftë cilido nga ta të sjellin një ose dy emra. Ne jemi të gatshëm në momentin që i kemi tre propozime nga PDK dhe LDK, të tërheqim emrat e kandidatëve tanë dhe ato propozime të hidhen në votim në Kuvend” – tha Arbërie Nagavci nga LVV.

Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Vetëvendosjes për propozimin e tre kandidatëve për pozitën e presidentit të shtetit bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kryetari i këtij subjekti, Bedri Hamza, tha se kërkesa e LVV-së është manovër politike.

"Ky ështe një nga propozimet e radhës me qëllim vetëm të gjejë fajtorë për të adresuar moasaftësinë e tij. Ka pasur kohë të mjaftueshme për të marrë veprimet e nevojshme jo për të tentuar me oferta të minutave të fundit. Andaj në PDK kjo çështje është e mbyllur, ështe diskutuar gjerë e gjatë, është bërë publike që përkundër rolit konstruktiv nuk kemi pasur mirëkuptim nga zotri Kurti dhe Vetëvendosje. Për PDK-në kjo çështje është e mbyllur. Nuk është ofertë kjo. Aspak nuk është serioze", ka shtuar Hamza.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar rreth kërkesës së LVV-së. Sipas Haradinaj, kryeministri Albin Kurti këtë kërkesë është dashur ta bëjë më herët, andaj edhe siç theksoi ai, kjo është vetëm strategji e shefit të qeverisë për ta dërguar vendin në zgjedhje. (Florije Kamberi, TVM2)