Përplasje për mesazhin e Hoxhës, VLEN: Hoxha të kërkoj falje publike
Vazhdojnë reagimet për ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha...

Vazhdojnë reagimet për ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, pas mesazheve ku pretendohet se Hoxha në një komunikim në një grup në ËatsApp ka shkruar “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, në kontekt të një diskutimi lidhur me një shkrim të gazetës “Nova Makedonija”.
VLEN nënvizon se mesazhi përçmues i ministrit të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “idiotë”, përbën skandal të rëndë politik dhe diplomatik, ndërsa kërkojnë nga ai falje publike.
“Mesazhi përçmues i ministrit të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “idiotë”, përbën skandal të rëndë politik dhe diplomatik. Një gjuhë e tillë është e papranueshme, fyese dhe larg çdo etike. Ajo dëshmon mungesë të kulturës diplomatike dhe hap dilema serioze se si mund një përfaqësues i shtetit shqiptar të flasë me përçmim për shqiptarët këtej kufirit” - theksojnë nga VLEN, ndërsa akuzojnë edhe ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Mejdani se po vendoset në funksion të opozitës shqiptare.
BDI: VLEN u shndërrua në zëdhënës të VMRO-së
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i BDI-së. Për partinë e Ali Ahmetit, ky reagim i VLEN-it është thjesht një skenar i përgatitur nga kryeministri Mickoski. BDI-ja akuzon koalicionin qeverisës se po sulmon Shqipërinë me gjuhë më të ashpër se sa vetë partnerët maqedonas.
“Në vend që të kërkojnë respektimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe kursin evropian të vendit, ata harxhojnë energji duke bërë betejat e VMRO-DPMNE-së. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë nevojë për përfaqësues që përdoren si vegla kundër Tiranës sa herë e kërkon propaganda e qeverisë. Kanë nevojë për përfaqësues që mbrojnë interesin e tyre kombëtar dhe qytetar”, - theksojnë nga BDI.
Hoxha: Diplomacia nuk bëhet me “Whats App”
Ndërkohë, ministri i jashtëm shqiptar Ferit Hoxha, ka reaguar për herë të parë pas polemikave, duke thënë se rrjetet sociale nuk janë kanale të komunikimit diplomatik.
“Qëndrimet tona mbi politikën e jashtme nuk komunikohen as me SMS dhe as me ËhatsApp. Ato bëhen përmes kanaleve zyrtare dhe transparente, të njohura për publikun dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe vetëm këto qëndrime prodhojnë efekt”, ka theksuar Hoxha për Albanian Post.
Përndryshe mesazhet e Hoxhës u publikuan nga ana e deputetëve të PD-së. Pas asaj reagoi Ministria e Jashtme e Shqipërisë ku i cilësoi publikimet e opozitës si të pavërteta. (Ersan Pajaziti, TVM2)
