Incidenti në Uashington, reagojnë liderët botëror

26.04.2026 15:36

Pas incidentit të armatosur në darkën e korrespondentëve të Uashingtonit...

Pas incidentit të armatosur në darkën e korrespondentëve të Uashingtonit, ku morën pjesë Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania, udhëheqësit botërorë e dënuan sulmin. 

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se dhuna nuk ka vend në politikë dhe falënderoi policinë dhe forcat speciale për reagimin e tyre të shpejtë. 

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ishte një "lehtësim i madh" që Trump, gruaja e tij Melania dhe të gjithë të ftuarit ishin të sigurt. Ai theksoi se çdo sulm ndaj institucioneve demokratike ose ndaj lirisë së shtypit duhet të dënohet me fjalët më të ashpra.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha gjithashtu se "dhuna nuk ka vend në një demokraci".

“Ne marrim vendime me shumicë votash, jo me armë. Unë dënoj sulmin e tentuar në Uashington dhe jam i kënaqur që Presidenti Trump, Zonja e Parë Melania Trump dhe të gjithë të pranishmit janë të sigurt”, shtoi Merz. 

Ndërsa Presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi incidentin si "të papranueshëm". “Sulmi i armatosur i mbrëmshëm ndaj presidentit amerikan është i papranueshëm. Dhuna nuk ka kurrë vend në një demokraci. Unë shpreh mbështetjen time të plotë për Donald Trump”, - njoftoi Macron në X. 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dënuar incidentin, transmeton Anadolu.

“Është qetësuese për ne që askush nuk u lëndua, veçanërisht presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja e tij e nderuar Melania Trump”, tha Erdogan në një postim në platformën turke të mediave sociale NSosyal.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez përmes një postimi në “X” ka dënuar sulmin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ne dënojmë sulmin që ndodhi sonte kundër presidentit DonaldTrump. Dhuna nuk është kurrë përgjigjia. Njerëzimi do të përparojë vetëm përmes demokracisë, bashkëjetesës dhe paqes”, shkruan ai.

Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ishte i tronditur nga atentati ndaj Trump. Ai shprehu kënaqësinë që presidenti dhe zonja e parë nuk u plagosën dhe vlerësoi agjentët e Shërbimit Sekret për veprimin e tyre "të shpejtë dhe vendimtar". (Florije Kamberi, TVM2)