Kuvend, Euro-integrimi, temë përplasjesh politike

26.04.2026 16:00

Euro-integrimet vazhdojnë të mbeten temë përplasjesh...

Euro-integrimet vazhdojnë të mbeten temë përplasjesh mes pushtetit dhe opozitës. Në debatin parlamentar kushtuar euro-integrimeve, kryetari i LSDM-së Venko Filipçe akuzoi qeverinë se nuk po bën asgjë në rrugën drejt BE-së.

Gjithashtu tha se edhe ligjet e Agjendës Reformuese nuk po gjejnë dritë të gjelbërt.

“Fatkeqësisht, e vërteta është zhgënjyese. Mos prisni asgjë nga rruga evropiane. Por fjalë për fjalë, asgjë. Dhe këtë nuk e them unë, e thotë kryeministri Hristijan Mickoski. Njeriu thotë se, nëse duhet, do të presim me dekada për Evropën. Çfarë mund të presim pas një deklarate kaq eksplicite në publik se kjo qeveri nuk do të bëjë asnjë hap drejt Evropës? Në këtë kontekst, agjenda reformuese është edhe një tregues tjetër se kjo qeveri nuk po bën asgjë” – tha Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Edhe ish-ministri i jashtëm  dhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, shprehu shqetësimin e çështja e euro-integrimeve në vend të përparimit, po vazhdon të shërben si temë e përplasjeve politike ditore. Ai apeloi për një konsensus të gjërë në lidhje me integrimet evropiane.

“Nuk ka një vullnet për integrim në BE, nuk ka një presion ndoshta edhe të mjaftueshëm për shkak të dinamikave për të cilat mund të flasim më poshtë dhe prandaj perspektiva është vyshkur apo është zbehur. Por ajo çfarë mua më jep shpresë është se anketa e fundit që e kanë bërë organizatat joqeveritare është se 70% kanë mbetur me vullnet të mirë ose të interesuar për BE-në. Presionin duhet ta bëjmë bashkë, ne si opozitë mund ta ndihmojmë, por qytetarët janë ata që duhet ti bëjmë presion qeverisë, politikës dhe insticioneve në përgjithësi” – deklaroi Ish Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e VMRO-DPMNE-së Eli Panova, fajin për dështimin e procesit euro-integrues ia hodhi qeverisë së kaluar.

“E pamë se strategjia e qeverisë së kaluar na solli në një rrugë qorre, na bllokoi shumë thellë dhe tani kjo qeveri po tenton ti drejtojë ato dëme që na janë bërë. Po ne si qeveri do të gjejmë zgjidhje, do të vazhdojmë të gjejmë mënyra si ti afrojmë te ju ligjet të cilat i miratojmë dhe se nuk mund të bëjmë nëse opozita nuk qëndron së bashku me ne në këtë rrugë” – tha Eli Panova nga VMRO-DPMNE.

Ndërkohë ish-sekretarja gjenerale e Kuvendit Cvetanka Ivanova iu bëri thirrje partive politike për gjetjen e një gjuhe të përbashkët.

“Të gjithë aktorët të cilët janë të prëfshirë në këtlë proces duhet që seriozisht të kuptojnë këtë proces dhe me të vërtetë të mos nisen nga interesat e tyre të ngushta politike, por të shikojnë interesin e shtetit djhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe ky proces të zhbllokohet” – thekoi Ish Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova.

Debati është organizuar nga ana e Institutut për Politika Evropiane, ndërsa qytetarët kanë mundur të parashtrojnë pyetje të drejtpërdrejta për panelistët. (Ersan Pajaziti, TVM2)