Tetovë, banorët kundër rritjes së çmimeve të mbeturinave
Qytetarët e Tetovës janë kundër rritjes së çmimeve...

Qytetarët e Tetovës janë kundër rritjes së çmimeve për shërbimin e mbeturinave. Ata kërkojnë nga Këshilli Komunal që të mos pranojë kërkesën e kompanisë “Saubermacher” për shtrenjtim, duke paralajmëruar se çdo vendim i tillë do të rëndojë edhe më shumë jetesën e tyre.
“Nuk jemi dakord që të rriten çmimet. Nuk është në rregull. Këshilltarët nuk duhet ta votojnë; nuk është një propozim i mirë për t’u votuar, prandaj nuk duhet ta votojnë,” - deklaroi një qytetar.
“Është një rritje e madhe e çmimeve që do t’i dëmtonte interesat e qytetarëve dhe buxhetin e tyre, dhe do të ishte mirë që këshilli i komunës së qytetit tonë të mos e miratojë këtë propozim të atyre që e kanë propozuar,” – u shpreh një qytetarë tjetër.
Por kjo kërkesë po has në kundërshtim të hapur, edhe nga përfaqësues në këshill. Këshilltari komunal nga lëvizja “Më mirë për Tetovën”, Agron Arifi, thotë se kjo kërkesë është në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe u bën thirrje këshilltarëve që të mos e votojnë.
“Sipas propozimit të rendit të ditës dhe materialit që kemi pranuar, parashihet që shërbimet nga ‘Saubermacher’ të rriten 30% për amvisëritë (shtëpitë dhe banesat) dhe 50 deri 100% për bizneset, me çka dëmtohet drejtpërdrejt buxheti i tetovarëve. Ky është rreziku që i kanoset qytetarëve kur komuna lidh marrëveshje për Partneritet Publiko-Privat. Privati gjithmonë ka interes përfitimin financiar, ndërsa komuna, e cila nuk është e aftë të ofrojë shërbimet e duhura, i ikën përgjegjësisë duke lidhur marrëveshje të dëmshme që zhvasin banorët.” – tha këshilltari i MMPT, Agron Arifi.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit Komunal, Jusuf Abduli, nuk e mohon, por as nuk e pohon nëse kjo kërkesë do të kalojë. Ai pranon se ekziston një kërkesë nga kompania për rritje të çmimeve, por thekson se ka edhe vërejtje nga ana e këshilltarëve, të cilat do të diskutohen në seancë.
“Ne si grup i këshilltarëve jemi në diskutim dhe kemi vërejtjet tona, të cilat do t’i shpalosim në seancën e radhës. Do të mundohemi të gjejmë një zgjidhje që të mos ketë rritje, ose të mos pranohet kjo kërkesë e ‘Saubermacher’ në atë formë që do të ndikonte rëndë në ekonominë e qytetarëve të Tetovës.” – deklaroi Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Jusuf Abduli.
Nesër paritet që këshiltar komunal të japin fjalën e tyre janë në anën e atyre që i kanë votuar apo në anën e kopmanive që qëllimin e kanë përfitet e jo interesin e qytetarve. (Visar Sadiku, TVM2)
