Prokuroria e Gostivarit kërkon paraburgim për përdhunim të një fëmije
Një arsimtar 28 vjeçar nga një shkollë fillore e Gostivarit...

Një arsimtar 28 vjeçar nga një shkollë fillore e Gostivarit ka përfunduar në paraurgim pasi e ka përdhunuar një nxënëse 14 vjeçare dhe e ka shantazhuar me përmbajtje eksplicite.
Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi nga rrethi i Gostivarit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale “Përdhunim të një fëmije që nuk ka mbushur 15 vjeç”, e dënueshme sipas nenit 188 paragrafi 1, si dhe shfrytëzim i paautorizuar i materialeve të huaja me përmbajtje seksuale eksplicite.
I dyshuari, e ka bindur një vajzë 14-vjeçare t’i dërgojë fotografi dhe video me përmbajtje seksuale eksplicite, e më pas e ka shantazhuar se do t’i publikojë nëse ajo nuk dilte me të.
“Viktima ka pranuar të takohet me të, pas së cilës i dyshuari e ka çuar në një shtëpi në Gostivar ku ka kryer marrëdhënie seksuale, vepër penale për të cilën parashikohet dënim me burgim prej të paktën 8 vjetësh”, thotë Prokuroria Publike.
Këtë muaj ai ka tentuar sërish ta shantazhojë për t’u takuar, por vajza ka refuzuar. Si pasojë, i dyshuari ka publikuar në një rrjet social fotografitë dhe videot eksplicite që posedonte, duke i bërë të qasshme edhe për persona të tjerë.
Me këtë ka përmbushur elementet e një vepre tjetër penale, e futur në shkurt të këtij viti, për të cilën parashikohet dënim me burgim nga 3 deri në 10 vjet.
