Maqedoni
Stërvitja “Shkëlqimi 26” në Krivollak dëshmon gatishmërinë e Armatës për misione të NATO-s
27.04.2026 14:37
Në poligonin ushtarak “Krivollak” u realizua stërvitja taktike “Shkëlqimi 26”...

Në poligonin ushtarak “Krivollak” u realizua stërvitja taktike “Shkëlqimi 26”, e cila përfshinte operacione ofensive taktike të kryera nga grupi i batalionit të këmbësorisë së lehtë. Qëllimi i këtij ushtrimi ushtarak është të vlerësohet gatishmëria luftarake e kësaj njësie për operacione të NATO-s. Drejtori i kësaj stërvitjeje dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, Arsovski dhe Lafçiski, theksuan se vlerësimi po realizohet nga një ekip nacional nën mbikëqyrjen e NATO-s.
“Grupi i lehtë i këmbësorisë e ka arritur me sukses nivelin e kërkuar dhe ka treguar se është i përgatitur për luftime dhe për realizimin e misionit dhe detyrave thelbësore. Ky rezultat nuk është i rastësishëm, por është fryt i punës shumëvjeçare, trajnimit të vazhdueshëm, profesionalizmit dhe motivimit të fortë.”, - deklaroi drejtori i stërvitjes, Arsovski.
“Vlerësimi i gatishmërisë luftarake përbën një segment thelbësor të procesit të zhvillimit dhe ruajtjes së kapaciteteve mbrojtëse. Bëhet fjalë për një proces strategjik që mundëson pasqyrimin objektiv të përgatitjes reale të njësive për realizimin e misioneve të caktuara.”, - theksoi shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, Sashko Lafçiski.
I pranishëm në poligonin ushtarak ishte edhe admirali Torsten Marks nga Komanda e Përbashkët e NATO-s në Napoli, i cili theksoi se RMV-ja është anëtare e rëndësishme dhe e besueshme e NATO-s dhe se vazhdimisht po investohet në njësitë ushtarake. Sipas tij, përparimi i trupave kontribuon drejtpërdrejt në forcimin dhe kredibilitetin e Aleancës.
“Trajnimet, sipas standardeve të NATO-s, janë kyçe, sepse na mundësojnë të veprojmë së bashku si një forcë e vetme. Ato na sigurojnë që të mund të përgjigjemi në mënyrë efektive ndaj sfidave të ndryshme. Progresi juaj kontribuon drejtpërdrejt në forcimin dhe kredibilitetin e Aleancës.”, - theksoi kundëradmirali Torsten Marks nga Komanda e Përbashkët e NATO-s në Napoli.
Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, vlerësoi se me zbatimin e suksesshëm të ushtrimit u dëshmua jo vetëm aftësia ushtarake, por edhe disiplina, saktësia dhe profesionalizmi i lartë i Armatës sonë. Ndërkohë, presidentja Gordana Siljanovska Davkova vlerësoi se Krivollaku tashmë paraqet një pikë kyçe strategjike të NATO-s, e cila kontribuon në paqe në një kohë sfidash të shtuara të sigurisë.
“Sot këtu në poligonin ushtarak “Krivollak”, poligoni ynë më i madh për stërvitje dhe një nga kapacitetet tona më të njohura në Aleancë, të gjithë ne ishim dëshmitarë jo vetëm të demonstrimit të aftësive, por edhe të disiplinës, saktësisë dhe profesionalizmit të vërtetë.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
“Për mua, poligoni “Krivollak” nuk është më një pikë gjeografike periferike e Maqedonisë, por një lakmus për testimin e gatishmërisë mbrojtëse të vendit, një pjesë e rëndësishme e mozaikut të NATO-s, që i shërben paqes si një e mirë e përbashkët në kohë të rritjes së sfidave të sigurisë.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Përfaqësuesit e mbrojtjes thanë se kjo stërvitje realizohet çdo katër vjet për njësinë e deklaruar për operacione të NATO-s, ndërsa njëkohësisht shërben edhe për vlerësimin e njësive të tjera të ushtrisë.
REXHEP QAMILI
