Maqedoni
Nesër do të skadojë afati për presidentin, partitë politike në Kosovë ende pa marrëveshje
27.04.2026 14:44
Haxhiu nuk e ka përjashtuar mundësinë që të thërrasë për sot seancë kuvendore për zgjedhjen e presidentit....

Megjithëse partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të thërrasë për sot seancë kuvendore për zgjedhjen e presidentit.
“Besoj se do të ketë seancë për presidentin…natyrisht që sot.”, - theksoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Një ditë para skadimit të afatit, Lëvizja Vetëvendosje është në pritje të tre propozimeve nga partitë opozitare. Kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar që t’u përgjigjet gazetarëve në pyetjen se a mund të ketë zgjedhje për presidentin. “Kryeministër, a ka zgjidhje sot, a mund të ketë marrëveshje? Nesër afati i fundit.”, - pyetën gazetarët.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo parti ta kandidojë ish-presidenten, Vjosa Osmani, por kjo e fundit deri sa po shkonte në homazhe pranë Monumentit dedikuar Personave të Zhdukur, tha se nuk dëshiron të komentojë çështjen e presidentit.
“Për hir të nderimit për ato viktima, për hir të respektit ndaj familjeve, ju lus që për temat tjera, ndonjëherë tjetër.”, - u shpreh ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Derisa LDK-ja nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit të Vjosa Osmanit, nëse Vetëvendosje i garanton 66 votat e deputetëve të saj, PDK-ja ka thënë se propozimin e Vetëvendosjes që opozita të ofrojë tre kandidatë e sheh si taktizim politik të Kurtit, prandaj edhe nuk do ta marrë në konsideratë. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës është 28 prilli. Nëse partitë nuk gjejnë kompromis, Kosova shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.
GYLTENE SINANI
