Botë
ShBA, zhvillohet hetimi për të shtënat në Uashington
27.04.2026 15:00
Sulmuesi në Uashington kishte publikuar një manifest anti-krishter para të shtënave....

Sulmuesi që me armë zjarri hyri në një hotel në Uashington ku po mbahej një darkë me pjesëmarrjen e presidentit Tramp kishte publikuar një manifest anti-krishter para të shtënave. Udhëheqja politike e ShBA-ve u evakuua në mënyrë të sigurt, i dyshuari u arrestua, ndërsa zyrtari i Shërbimit Sekret që u qëllua po shërohet.
“E lexova manifestin, ai është radikalizuar. Ai ka qenë i krishterë, besimtar, dhe më pas u bë anti-krishter dhe pati shumë ndryshime. Ka kaluar nëpër shumë gjëra. Bazuar në atë që ka shkruar, vëllai i tij është ankuar për të dhe mendoj se e ka raportuar në polici, dhe edhe motra e tij gjithashtu është ankuar. Familja e tij ishte shumë e shqetësuar. Me sa duket ka qenë një person mjaft i sëmurë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
FBI po vazhdon hetimin. 31-vjeçari Kol Tomas Alen nga Torrance, një qytet në Los Anxhelos, e ka përshkruar veten si “vrasës federal miqësor”, që kishte planifikuar të sulmonte anëtarët e administratës së ShBA-së, duke u dhënë përparësi atyre me rang më të lartë.
“Nuk di vërtet asgjë për të. E di që jeton atje. Di vetëm atë që kam lexuar në raportimet e mediave. Jam mik me babanë e tij, dhe prindërit e tij janë njerëz shumë të qetë, shumë të mirë. Por, nuk di shumë për të.”, - theksoi avokati, Pol Tompson.
“Një incident si ky e vë komunitetin në qendër të vëmendjes së publikut. Ne jemi kundër çdo lloj dhune, politike apo racore. Jemi shumë të lumtur që agjencitë e reagimit të shpejtë në Uashington e kapën menjëherë autorin, por fakti që shtëpia e tij është këtu nuk e përcakton qytetin Torrance në këtë mënyrë. Veprimi i një personi nuk e përfaqëson gjithë qytetin.”, - u shpreh kryetari i Bashkisë së Torrance, Xhorxh K. Çen.
I dyshuari përballet me akuza për sulm ndaj një zyrtari federal, të shtëna me armë zjarri dhe tentativë vrasjeje.
“Nuk është e pazakontë në një rast të tillë të ketë akuzë për sulm ndaj një zyrtari federal. Do të ketë akuzë për përdorim të armës së zjarrit dhe tentativë për vrasje të një zyrtari federal. Dhe më pas, potencialisht, mund të ketë edhe akuza të tjera që dalin nga shqyrtimi i provave.”, - deklaroi ushtruesi i detyrës i Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA-së, Blansh.
Sipas presidentit amerikan Tramp, Shërbimi Sekret ka bërë një punë më të mirë se në përpjekjen për atentat në Butler në korrik 2024, kur në një tubim në ambient të hapur një 20-vjeçar e qëlloi në vesh.
ARMEND MURSELI
