Maqedoni
Parlament, braktisja eventuale e LSDM-së, Mickoski: Mund të siguroj 2/3 e deputetëve
27.04.2026 15:15
Paralajmërimi eventual se socialdemokratët mund të braktisin Kuvendin nuk shqetëson kryeministrin Hristijan Mickoskin....

Paralajmërimi eventual se socialdemokratët mund të braktisin Kuvendin pas mosdakordimit për heqjen e Qeverisë teknike, nuk shqetëson kryeministrin Hristijan Mickoskin. Ai thotë se nuk do të ketë paralizë institucionale dhe se reformat do të vazhdojnë. Kalkulimet e kryeministrit shkojnë një hap para duke thënë se në një situatë të tillë ai është i gatshëm të sigurojë 81 deputetë në Kuvend. Megjithatë kryeministri sugjeron opozitën mos të margjinalizojë veten, edhe pse vendimi në fund fare është i tyre.
“Nuk do të ketë krizë politike. Ne si Qeveri kemi më shumë se dy të tretat në kuadër të Parlamentit si numër. Formalisht jo, por nëse na nxisin, do ta formojmë edhe këtë numër. Absolutisht nuk mund të ketë ngecje të ndonjë procesi reformues. Ne jemi të fokusuar në reforma, zhvillimin e shtetit. Ne nuk mund të merremi me kënetën politike të opozitës me frustrimet dhe dëshirat e tyre.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ndalesa për dyshtetësi, Mickoski mbështet idenë e presidentes
Kryeministri mbështet idenë e presidentes që ndalesa për dyshtetësi të vlejë edhe për ministrat dhe presidentin, nëse ekspertët e vërtetojnë si të ligjshme.
“Unë nuk kam dyshtetësi, e as nuk e kam për qëllim të kem. Shtetësia ime është maqedonase. Po, le të zgjerohet nëse këtë e lejon ligji dhe Kushtetuta. Unë nuk kam kurrfarë problemi.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM këmbëngul të përfshihen ministrat
Por, LSDM-ja druan se VMRO-DPMNE do ta zgjerojë listën e ndalesës së shtetësisë së dyfishtë, pasi, sipas tyre, gjysma e deputetëve dhe funksionarëve të partisë së Mickoskit kanë shtetësi bullgare.
“Ata përderisa bllokojnë publikisht proceset evropiane dhe e paraqesin veten si “mbrojtës të identitetit maqedonas”, privatisht i kanë siguruar pasaportat për veten dhe familjet e tyre. Qasja e tyre e re ndaj BE-së është e thjeshtë: merrni një pasaportë bullgare për të afërmit tuaj dhe ja ku është Evropa.”, - u shpreh Petar Ognjenoviq nga LSDM.
LSDM kërkon që ndalesa të vlejë menjëherë për të gjithë deputetët aktualë, ministra dhe funksionarë qeveritarë, e jo sikurse parashikon propozim-ligji që i njëjti të vlejë vetëm për deputetët nga përbërja e ardhshme parlamentare.
MERAL ISMAILI
