Maqedoni

Integrimi i vendit, Siljanovska: Të vlerësohemi sipas plotësimit të kushteve

27.04.2026 15:33

Davkova kërkon nga BE që të vlerësojë në bazë të kritereve të Kopenhagës dhe standardeve, ashtu siç vepron pakti veri-atlantik....

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, kërkon nga Bashkimi Evropian që të vlerësojë në bazë të kritereve të Kopenhagës dhe standardeve, ashtu siç vepron pakti veri-atlantik. Sipas saj nëse kërkesat e Unionit përkojnë me nevojat e fqinjëve, kjo nënkupton mungesë  respekti. Shton se nëse BE-ja vlerëson sipas plotësimit të kushteve të Kopenhagës,  atëherë vendi ynë do të ketë nota tjera.
 
“Kur ju vlerësojnë përmes standardeve të larta konkrete, nuk mund të ketë improvizime dhe, ju, ose do t’i kaloni, ose jo.  Porosia ime është: atë që e bën NATO-ja me standardet, ta bëjë Bashkimi Evropian me kriteret e Kopenhagës. Nëse neve na vlerësojnë sipas plotësimit të kushteve të Kopenhagës, mendoj se do të marrim nota ndryshe. Ndryshe, nëse nuk plotësohen standardet e larta, nëse aplikohen standarde të dyfishta dhe nëse vlerësimi nuk është në bazë të plotësimit të standardeve, por sipas kërkesave dhe nevojave të fqinjëve, kemi problem serioz me respektimin. Nuk është keq që standardet të vlejnë në të gjitha institucionet e mundshme, përfshirë edhe Bashkimin Evropian.”, - deklaroi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Qeveria e ardhme bullgare, Davkova: Kemi shanse të bisedojmë me institucione stabile
 
Ndërkohë, në raport me Bullgarinë, shefja e shtetit beson se përfundimisht atje do të ketë qeveri stabile, që do të ndikojë edhe tek ne kur jemi tek bisedimet për mosmarrëveshjet mes dy shteteve. Personalisht për Bojko Borisovin mendon se do të jetë kryeministër i mirë, siç ka qenë i tillë edhe në postin e kryetarit, thotë ajo.
 
“Mendoj se vetë ajo që kemi qeveri stabile pas së cilës ekziston shumicë e madhe e qytetarëve dëshmon se ka shancë me të vërtetë të bisedohet me dikë që është përfaqësues legjitim te qytetarët. Ndryshe, me qeveri jostabile ishte shumë e vështirë të bisedohej me dikë.”, - theksoi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Ndryshe, dy shtetet fqinje kohë të gjatë nuk kanë zhvilluar komunikime formale për çështjet e hapura në mungesë të institucioneve formale në fqinjin lindor. Përkujtojmë se në kohën kur ishte president dhe më pas, Radevi vazhdimisht është shprehur  i bindur se negociatat për vendin me BE-në mund të fillojnë pasi bullgarët të përfshihen në Kushtetutë, duke rekomanduar njëkohësisht vendin tonë që të zbatojë kompromisin evropian të vitit 2022.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU