Maqedoni
Rasti i 27 prillit në Kuvend, Çento: Kallëzim penal ndaj Villma Ruskoskës
27.04.2026 16:08
Çento ka paraqitur kallëzim penal kundër ish-prokurores publike Villma Ruskoska...

Pas nëntë viteve nga ngjarja, i akuzuari për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, Jane Çento, ka paraqitur kallëzim penal kundër ish-prokurores publike Villma Ruskoska për veprat penale pengim i drejtësisë dhe keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtare. Ai theksoi se në Prokurorinë Publike janë dorëzuar prova të cilat tregojnë për komunikim mes një funksionari të lartë dhe njërit prej dëshmitarëve kyç në procedurë, me marrëveshje të mundshme me Prokurorinë.
“Ky nuk është një rast i zakonshëm. Bëhet fjalë për dyshime të bazuara për përdorim të provave të paligjshme, presione ndaj dëshmitarëve dhe marrje vendimi mbi bazë të një procedure të montuar. Kjo nuk është deklaratë politike, por hapa të bazuar në dokumente dhe dyshime serioze për vepra të kryera penale.”, - deklaroi i akuzuari në rastin "27 prill", Jane Çento.
Rusksoka: Vendimin e konfirmuan tre instanca gjyqësore
Ndërkohë, ish-prokurorja publike Villma Ruskoska, mohon këto akuza duke thënë se vendimin për rastin në fjalë e kanë konfirmuar të tre instancat gjyqësore në vend.
“Absolutisht vlerësoj se nuk bëhet fjalë për rast të montuar. Nëse do të ishte rast i montuar, atëherë Gjykata e Apelit nuk do ta kishte vërtetuar, Gjykata Supreme gjithashtu. Po të ishte ashtu do të paraqiteshin dyshime, do të anulohej lënda. Nuk është lëndë që e udhëheq një prokuror, ne prokurorët jemi palë në procedurë sikurse avokatët. Vendimi i fundit është i gjykatës. Kemi gjykatë themelore, Gjykatë të Apelit dhe Gjykatë Supreme.”, - theksoi ish-prokurorja, Villma Ruskoska.
LSDM: Pushteti përpiqet t'i shpëtojë të akuzuarit
Ndërkohë, për LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në rasti akoma mbetet kontestues. Nga LSDM rikujtuan të ashtuquajturën “E enjtja e përgjakshme”, duke thënë se edhe pas nëntë vitesh nga rasti, pushteti aktual po përpiqet t’i “shpëtojë” të akuzuarit e atëhershëm nga përgjegjësia edhe pse ata kishin për qëllim të vrisnin deputetë.
“Në Kuvend hynë dhunues me qëllim të qartë të vrisnin deputetë, të lëndonin gazetarë dhe punonjës të Kuvendit dhe të rrëzonin rendin kushtetues. Pamjet nga ajo ditë janë të gdhendura edhe pas 9 vitesh: fytyra të përgjakura të deputetëve, koka të çara, sulme me shufra dhe karrige, tërheqje zvarrë, dhunë dhe shkatërrim në tempullin e demokracisë. Ndërsa kryeministri i sotëm, Hristijan Mickoski, atë ditë ishte para Kuvendit. Nëntë vite më vonë, në vend të drejtësisë së plotë jemi dëshmitarë të përpjekjeve për rehabilitim të turpshëm të dhunuesve.”, - u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Mickoski: Rasti është i montuar, nuk ishin terroristë
Kryeministri Hristijan Mickoski, vlerëson se rasti "27 Prilli" në Kuvend, ishte rast i montuar politik ku njerëz të pafajshëm u shpallën terroristë.
“Bëhet fjalë për rast të montuar politik nga ana e Qeverisë paraprake. Në këtë rast, sipas meje, njerëz të pafajshëm u shpallën terroristë. Të pafajshëm për terrorizëm, ata bën një shkelje të caktuar dhe është dashur për atë shkelje që e bënë të përgjigjen. Por, për fat të keq ata përgjigjen për terrorizëm diçka që ishte e paparë në atë moment. Sa u përket informacioneve të tjera, vet prokurorët dhe gjykatësit dëshmojnë për procese të sajuara, prokurorë dhe gjykatës të shantazhuar për urdhra politikë "si" dhe "pse" të gjykohen. Njerëz u liruan nga paraburgimi që për veshë t'i sjellin në Kuvend për votim të ndryshimeve kushtetuese.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ngjarjet e 27 prillit 2017 filluan pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar i Parlamentit, kur protestuesit hynë me forcë në ndërtesën legjislative, ku deputetë, gazetarë, zyrtarë dhe të tjerë të pranishëm në Kuvend mbetën te lënduar.
FLORIJE KAMBERI
