Vlerësimi i Vaicit për mungesë reformash dhe progres, Mickoski: Raporti që kam lexuar unë është ndryshe
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësimet e raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vaic...

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësimet e raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vaic, i kupton ndryshe. Për gazetarët, ai thotë se kur flitet për reforma, vlerësimet e tij janë të kundërta.
“Nuk e di se cilin raport të raportuesit Vaic keni lexuar ju, përkundrazi, raporti që kam dëgjuar unë është një antitezë e plotë e pyetjeve tuaja.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mucunski: KE-ja na vlerëson pozitivisht, është fakt
Edhe shefi i diplomacisë Mucunski, në linjë të përafërt me udhëheqësin e ekzekutivit. Sipas tij, vendimet për progresin e vendit i marrim nga vendet e BE-së, i cili vlerëson se ata kanë përshtypje pozitive për ne, mendimin që e ngrit për indikatorë të rëndësishëm.
“Unë flas në bazë të fakteve. Unë kur them se shteti përparon në bazë të agjendës reformuese, flas në bazë të informacioneve për periudha dhe evolucione të pranuara nga Komisioni Evropian, që thotë se pas zgjedhjeve lokale kemi progres të theksuar, numër të madh reformash që implementohen dhe shihen në Kuvend, janë fakte që s’mund t’i trillojë. Pra, thirrem në informacionet relevante të Komisionit Evropian.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
LSDM: Çka kemi thënë ne, konstatoi Vaici
Ndërkohë, për LSDM-në, deklarata e Vaicit është një konfirmim i qartë dhe alarmues i asaj që kjo parti ka paralajmëruar prej muajsh.
“Me Mickoskin nuk ka përparim, nuk ka reforma, me një vlerësim të drejtpërdrejtë se “në vitin e fundit nuk kemi parë asnjë përparim”. Vaici thotë në mënyrë eksplicite se nuk sheh përkushtim serioz nga Qeveria për reforma, veçanërisht në sundimin e ligjit. Dhe problemi kyç dhe më i madh: korrupsioni dhe gjyqësori jofunksional.”, - thonë nga LSDM, duke shtuar se qytetarët meritojnë të ardhme evropiane e jo izolim, stagnim dhe kriminalitet.
Në intervistën për medien bullgare “Euroneës Bullgaria”, raportuesi Vaic ka thënë se vendi dhe qytetarët mund të humbasin një mundësi kyçe për përparim drejt Bashkimit Evropian, nëse ekzekutivi nuk e shfrytëzon momentin për integrimet në BE, duke ripërsëritur se ndryshimet kushtetuese mbeten kusht pa të cilin negociatat me BE-në nuk mund të vazhdojnë tutje.
“Gjatë vitit të fundit nuk kemi parë asnjë përparim, asnjë reformë. Nuk bëhet fjalë vetëm për fillimin e negociatave, por edhe për agjendën reformuese, për planin e rritjes. Nëse vendi nuk i zbaton reformat e nevojshme, 47 milionë euro nuk do të shkojnë tek ai, por tek vendet fqinje.”, - u shpreh raportuesi për RMV-në në PE, Tomas Vaic.
Edhe përkundër mendimit të tij se vendi nuk shpreh vullnet politik për reforma, sidomos në gjyqësor dhe sundim të ligjit, raportuesi Vaic ka shtuar se megjithatë do të vazhdojë ta mbështesë rajonin. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
