Dhuna mes bashkëmoshatarëve, një incident i rëndë në Gjorçe Petrov
Prindërit nga Komuna e Gjorçe Petrovit...

Prindërit nga Komuna e Gjorçe Petrovit kanë denoncuar një rast tmerrues të dhunës mes nxënëseve në MPB. Një vajzë e klasës së gjashtë ka përfunduar te mjeku dhe psikiatri, pasi është djegur me cigare dhe është poshtëruar nga bashkëmoshataret e saj në parkun pranë komunës.
I gjithë akti është regjistruar me telefon celular dhe është shpërndarë në rrjetet sociale.
MPB-ja dhe Prokuroria Publike po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.
“Është denoncuar se një vajzë e mitur, në dy raste, është sulmuar fizikisht nga disa të mitura të së njëjtës shkollë. Janë kryer biseda zyrtare në prani të prindërve, janë siguruar dëshmi materiale, përfshirë edhe video-incizime dhe në koordinim me Prokurorinë Publike po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.”, informuan nga MPB.
Stojkoski: Dënime të rrepta për nxënësit
Kryetari i Komunës së Gjorçe Petrovit është informuar për rastin dhe thotë se po veprohet sipas rregullores për parandalimin e dhunës dhe vlerëson se duhet më shumë policë të ketë në terren.
“Këshilli i mësimdhënësve ka vendosur dënimet më të rrepta për fëmijët dhunues që ishin të përfshirë në këtë rast jo të mirë. Po ashtu janë dhënë dënime edhe për nxënësit e tjerë që ishin prezent aty, nuk kanë ndihmuar asgjë, por e kanë incizuar rastin me celularë.”, - theksoi kryetari i Komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkoski.
Janevska: Roli i prindërve është thelbësor
Nga Ministria e Arsimit theksojnë se ekzistojnë manuale dhe udhëzime, por roli i prindërve është thelbësor në edukimin e fëmijëve.
“Në të gjithë institucionet përgjegjëse mund të bëjmë gjithçka siç duhet, por nëse nuk kemi ndihmë nga prindërit, nuk mund të kemi sukses, sado që të përpiqemi.”, - u shpreh ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Ky rast i dhunës mes bashkëmoshatarëve nuk është vetëm incident i izoluar, por alarm për shoqërinë. Numrat e dhunës janë sinjal i qartë se dhuna mes moshatarëve nuk duhet të injorohet, sepse mund të jetë dhunë fizike,verbale dhe digjitale.
Autoritetet vazhdimisht apelojnë që nxënësit të paraqesin dhunën, në raste që janë viktima ose dëshmitarë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
