Botë
Athina, e gatshme edhe për një kompromis
09.06.2015 11:17
Vetëm 3 ditë pasi kryeministri, Alexis Tsipras, refuzoi propozimin e fundit nga BE dhe FMN, duke e quajtur “absurde”,,,

Vetëm 3 ditë pasi kryeministri, Alexis Tsipras, refuzoi propozimin e fundit nga BE dhe FMN, duke e quajtur “absurde”, qeveria greke ka bërë të ditur se është e gatshme të negociojë një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët deri në fund të këtij muaji, kur programi i shpëtimit për Greqinë skadon dhe kur vendi do të përballet me falimentin për shkak të borxheve.
Pavarësisht kësaj atmosfere të re pozitive, një zyrtar i BE-së tha se nuk ka ende “ndonjë zhvillim të ri” në synimin për të arritur një marrëveshje, sipas së cilës kreditorët do të rifillojnë dhënien e ndihmës ndaj Athinës në këmbim të premtimit për reforma dhe më shumë masa shtrënguese.
Athina dhe Brukseli këmbyen propozimet e tyre gjatë javës së kaluar, me shpresën për të tejkaluar ngërçin, i cili nëse nuk zgjidhet do ta detyrojë Greqinë të dalë nga Eurozona, një zhvillim që do të trondiste edhe tregjet financiare, madje edhe ekonominë globale.
Kancelarja gjermane, Merkel, e cila nesër pritet të takojë Tsiprasin, së bashku me presidentin francez, Francois Holland, theksoi dëshirën e saj për qëndrimin e Greqisë si pjesë e bllokut të monedhës së përbashkët.
Por, teksa foli pas samitit të 7 kombeve më të industrializuara, G7, në Gjermani, ajo u shpreh se “Nuk ka mbetur edhe shumë kohë. Të gjithë po punojnë intensivisht”.
Ndërkaq, negociatorët grekë kanë zhvilluar bisedime në Bruksel edhe me komisionerin e BE-së për çështjet ekonomike, Pierre Moscoviç.
