Ndryshimet kushtetuese, Fronti Evropian nis mbledhjen e nënshkrimeve
Deputetët e Frontit Evropian opozitar...

Deputetët e Frontit Evropian opozitar kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të iniciuar ndryshime kushtetuese, me qëllim avancimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Bexheti: Bëjmë thirrje për mbështetje nga të gjitha partitë në Kuvend
Deputeti Blerim Bexheti tha se kjo iniciativë mbështetet në mundësinë kushtetuese të paraparë në nenin 130 të Kushtetutës, sipas të cilit propozimi për ndryshimin e Kushtetutës mund të paraqitet nga së paku 30 deputetë.
“Prandaj, duke filluar nga sot, u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si të shumicës parlamentare, ashtu edhe të opozitës, përfshirë deputetët e Aleancës për Shqiptarët, deputetët e pavarur, si dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike që e shohin të ardhmen e vendit në Bashkimi Evropian, e sidomos deputetët e VLEN-it, që të japin mbështetjen e tyre, duke nënshkruar këtë iniciativë.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
Kasami: Iniciativa për ndryshimet kushtetuese do të harrohet
Njëri prej krerëve të VLEN-it, Bilall Kasami, ka reaguar ndaj nismës së Frontit Evropian për mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshime kushtetuese, duke e cilësuar atë si një “ide madhore”, që, sipas tij, do të harrohet shpejt dhe shërben vetëm për nevoja të brendshme politike të Bashkimit Demokratik për Integrim.
“Për të mbajtur edhe më tutje shpresën e anëtarëve të BDI-së, ajo po del me ide të mëdha. Ne e dimë që 20 vite BDI në Qeveri mbeti jo duke realizuar projekte në interes të shqiptarëve, por duke promovuar ide të mëdha, ne e dimë kryeministrin e famshëm shqiptar, ne e dimë agjendën e gjelbër, ne dimë shumë projekte të cilat ishin vetëm me destinim fitimin e zgjedhjeve. Edhe kjo është një ide e tillë madhore e BDI-së, e cila shumë shpejt do të harrohet.”, - theksoi Bilall Kasami nga VLEN.
Kujtojmë se së fundmi, raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Uaits, në një intervistë për Euronews Bullgari deklaroi se nuk sheh as përparim as reforma në Maqedoninë e Veriut dhe se vendi rrezikon humbjen e 47 milionë eurove.
Vendi mbetet i bllokuar në rrugën drejt BE-së, për shkak të kontestit me Bullgarinë. Kërkohen ndryshime kushtetuese (përfshirë bullgarët), që kërkojnë shumicë prej dy të tretash.
Pa këto ndryshime nuk hapen negociatat, edhe pse procesi nisi në korrik 2022 me propozimin francez. (Armend Murseli, TVM2)
