Dhuna në familje, 15 raste në ditë në 8 vitet e fundit
Çdo ditë, gjatë 8 viteve të fundit...

Çdo ditë, gjatë 8 viteve të fundit, në stacionet policore kanë mbërritur rreth 15 thirrje dhe sinjale për dhunë në familje. Pasojat nuk janë parandaluar për shkak të mungesës së zgjidhjeve sistematike, theksoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Ai paralajmëroi reforma për parandalimin e këtij lloji dhune.
“Të gjitha ato dëshmi të cilat do të evidentohen në sistem do të mund të shfrytëzohen për procedurë në të ardhmen”. – tha Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Duhet të shqyrtohet ndërhyrja në Kodin Penal dhe të sigurohet monitorimi i kryerësve të këtyre veprave penale, tha Prokurori Publik i Shtetit.
“Duhet të shqyrtohet ndërhyrja në Kodin Penal për veprën penale “moszbatimi i vendimit gjyqësor”. Me këtë rast, bëj thirrje për bashkëpunim mes institucioneve, jo vetëm në formë protokollare, por me reagim në kohë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtyre veprave penale. Me koordinim të ngushtë ndërinstitucional do të ketë parandalim dhe mbrojtje më të madhe për viktimat”. – deklaroi Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Savevski
Viktimat nuk dinë se cilat institucione mund t’i ndihmojnë. Gjatë 8 viteve, në Klinikën e Gjinekologjisë, në qendrën për mbështetje të viktimave të dhunës, janë raportuar 45 viktima.
“Ne si gjinekologë jemi të detyruar të thërrasim menjëherë forenzikën dhe përfaqësues nga mjekësia ligjore; aktualisht kemi një koordinator të tillë dhe duhet t’i drejtohemi edhe MPB-së.” – u shpreh Dr. Irena Aleksioska Papastiev, Drejtoreshë e Klinikës universitare të Gjinekologjisë.
Vitin e kaluar janë vrarë 11 gra, ndërsa këtë vit, për vetëm 4 muaj, ka 5 gra viktima të dhunës në familje. (Armend Murseli, TVM2)
