Rajon

Zgjedhja e presidentit të Kosovës, Kurti: Po bëjmë përpjekje maksimale

28.04.2026 11:38

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale për ta zgjedhur presidentin....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale për ta zgjedhur presidentin. Në ditën e fundit të afatit kushtetues, Kurti duke hyrë në objektin e Kuvendit, tha se deputetët e opozitës e kanë obligim kushtetues të jenë në seancën e sotme.
 
“Po bëjmë përpjekje maksimale, po e shohim a po vijnë deputetët e opozitës, sepse e kanë obligim kushtetues”, tha ai.
 
LVV-ja dje ka propozuar dy kandidate për president, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Kjo e para në votimin e djeshëm mori 64 vota, mirëpo pas kësaj kryeparlamentarja ndërpreu seancën për ta vazhduar sot. 
 
Sot, 28 prill, përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Në rast moszgjedhjeje të presidentit deri në mesnatë, Kosova do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare.
 
Partitë opozitare që bojkotuan mbledhjen, kritikuan pushtetin që ka nisur seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese.