Paris Saint Germain – Bayern Munich, finalja para finales luhet sonte në Paris
28.04.2026 13:28
Sonte në mbrëmje në program është ndeshja e parë e ½ finales së Ligës së Kampionëve

Sonte në mbrëmje në program është ndeshja e parë e ½ finales së Ligës së Kampionëve, në të cilën përballen Paris Saint-Germain (PSG) dhe Bayern Munich. Ky takim është cilësuar si finale para finales të këtij edicioni të kupës më prestigjioze evropiane. PSG-ja, në ½ finale erdhi pasi eliminoi Liverpool me rezultatin e përgjithshëm 4:0. Askush nuk është më i mirë se PSG-ja, tha trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, përpara ndeshjes.
“Nëse ka skuadra që sulmojnë shumë mirë, duhet të dish kur të mbrohesh, dhe ky do të jetë çelësi. Të sulmosh, të shfrytëzosh sa më shumë sulmin në mënyrën më të mirë dhe të dish si të mbrohesh kundër këtij lloj skuadre. Ajo që është e qartë është se kjo është një ndeshje tërheqëse për të gjithë tifozët, pavarësisht se cilën skuadër mbështesin, me të dyja skuadrat që kanë një sezon shumë të mirë.”, u shpreh Luis Enrike, trajner i Paris Sen Zhermen.
Bayern Munich këtu luan pasi në ¼ e finales me rezultatin e përgjithshëm 6:4 eliminoi Real Madrid. Trajneri Vincent Kompany nuk do të jetë prezent në fushë për ndeshjen mes PSG-së dhe Bayern-it pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në ndeshjen kundër Real-it të Madridit.
“Pra, ku jam ulur? Diku në stadium, megjithëse ndoshta jo shumë larg tyre, por ende nuk jam shumë i njohur me këtë stadium. Parisi është fitues në fuqi i Ligës së Kampionëve, por nëse ka një ekip që mund t’i bëjë ballë kësaj beteje, ai jemi ne. Të dyja ekipet kanë shumë kreativitet, edhe në aspektin e lojës pozicionale, ashtu edhe në situatat një kundër një. Nuk ka sekrete. Gjithçka varet nga detajet, intensiteti dhe energjia.”, u shpreh Vinsent Kompany, trajner i Bayern Munih.
Do jetë kjo përballja e 16-të, mes këtyre dy skuadrave, ndërsa të gjitha janë luajtur në kuadër të Ligës së Kampionëve. Bayerni ka epërsinë 9:6 dhe ka triumfuar në pes ndeshjet e fundit duke llogaritur edhe atë në raundin e katër të këtij sezoni 2:1 në Paris. Në ½ finalen e dytë të mërkurën në mbrëmje do të përballen Atletico Madrid – Arsenal. (Gazetar: Safet Ademi)
