Botë
Lindja e Mesme, ShBA-ja refuzon ofertën e fundit nga Irani
28.04.2026 14:02
Irani i ka paraqitur një ofertë të re Uashingtonit...

Irani i ka paraqitur një ofertë të re Uashingtonit, e cila përfshin një plan për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund luftës, ndërsa i shtyn negociatat bërthamore për një fazë të mëvonshme. Por, nga Shtëpia e Bardhë kanë thënë se presidenti amerikan, Donald Tramp, është shprehur i pakënaqur me propozimin e fundit iranian, duke theksuar se Trampi ka “vija të kuqe” të qarta. Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, e ka akuzuar Iranin për përdorimin e Ngushticës së Hormuzit si një “armë bërthamore ekonomike”, duke theksuar se Uashingtoni nuk do ta pranojë rihapjen e rrugës ujore sipas kushteve të Teheranit ose shtyrjen e bisedimeve mbi programin e tij bërthamor.
“Jo vetëm që duan të dominojnë në Iran, ata duan të dominojnë rajonin. Dhe imagjinoni këtë me armë bërthamore. Shikoni çfarë kanë bërë me ngushticën. Është një shembull i shkëlqyer. Ngushtica në thelb është ekuivalent me një armë ekonomike bërthamore që përpiqen ta përdorin kundër botës dhe madje mburren me këtë. Vendosin bilborde në Teheran, duke u mburrur se si mund të mbajnë 20 apo 25 për qind të energjisë botërore peng. Imagjinoni nëse këta njerëz do të kishin qasje në armë bërthamore. Ata do ta mbanin të gjithë rajonin peng.”, - deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio.
Për sigurinë dhe mbrojtjen e rrugëve ujore ka diskutuar edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ku dhjetëra vende kërkuan hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
“U bëj thirrje palëve, hapeni ngushticën, lejoni kalimin e anijeve. Pa tarifa, pa diskriminim. Le të vazhdojë tregtia. Le të marrë frymë ekonomia globale.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
“I hedhim poshtë të gjitha përpjekjet për të cenuar ose pezulluar në mënyrë të paligjshme të drejtat dhe liritë e lundrimit, përfshirë vendosjen e tarifave, që do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al Zajani.
Por, ambasadori iranian deklaroi se vendi i tij nuk është përgjegjës për mbylljen e ngushticës.
“Në kushte kufizimesh, masat e Iranit në Ngushticën e Hormuzit janë bazuar në të drejtën dhe detyrimet sipas së drejtës detare dhe ligjeve e rregulloreve kombëtare. Masat ligjore të Iranit synojnë të arrijnë një balancë të duhur mes interesave të sigurisë së shtetit bregdetar dhe vazhdimësisë së sigurt të lundrimit në këtë mjedis shumë të paqëndrueshëm.”, - theksoi ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani.
Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit ka deklaruar se Rusia është e gatshme të ndërmjetësojë për ndalimin e konfliktit në Iran, nëse palët bien dakord për opsione të pranueshme.
GYLTENE SINANI
