Maqedoni

Protokoll i ri për personat pa shtetësi, qasje më e shpejtë në shërbimet shëndetësore

28.04.2026 14:41

Në kryeqendrën e vendit u promovua sot një protokoll për trajtimin e personave pa shtetësi...

Në kryeqendrën e vendit u promovua sot një protokoll për trajtimin e personave pa shtetësi, me të cilin institucionet vendosin një qasje të koordinuar dhe sistematike për zgjidhjen e rasteve të reja dhe përmirësimin e qasjes në të drejtat themelore, përfshirë edhe kujdesin shëndetësor. Protokolli është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Misioni i OSBE-së në Shkup, me të cilin vendosen procedura të qarta dhe një mekanizëm afatgjatë për zgjidhjen e problemeve të personave që prej vitesh përballen me pengesa administrative, në realizimin e shumë të drejtave përfshi edhe të drejtën për shërbime shëndetësore.
 
“Ky problem shumëvjeçar është zgjidhur përfundimisht dhe është një ndjenjë e mirë të themi, se në Maqedoni, më në fund, statusi i qytetarëve pa shtetësi për disa persona është një çështje që i përket së kaluarës. Falënderim i madh për ministrin e Shëndetësisë dhe ambasadorin e OSBE-së, të cilët u angazhuan personalisht dhe e udhëhoqën këtë proces. Prandaj themi se ky është një sukses jo vetëm i Maqedonisë, por edhe i misionit të OSBE-së. Me këtë protokoll do të përmirësohet puna institucionale dhe do të përcaktojmë hapa se si në mënyrë sistematike do ta zgjidhim këtë problem.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
 
“Është një ditë shumë e madhe për ne, pasi si MSh shëndetin e kemi në radhë të parë për gjithë qytetarët të cilët jetojnë në vend dhe janë qytetarë të vendit tonë, por gjithsesi shëndetësia kur jepet në kohë reale dhe për qytetarët, të cilët në mënyrë administrative nuk janë qytetarë të shtetit apo siç thirren qytetarë fantom për neve shëndeti është në radhë të parë që t’u jepet në kohë reale dhe në cilësi. Ky hap është jashtëzakonisht shumë i madh për neve dhe bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme është kënaqësia jonë që t’u mundësojmë këto shërbime shëndetësore edhe për këtë kategori të qytetarëve.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
“Ngjarja e sotshme është njëkohësisht e rëndësishme, pasi që ne po e dërgojmë këtë çështje në një nivel tjetër. Eventi i sotshëm është për ta bërë këtë sukses në një sukses afatgjatë dhe të qëndrueshëm.  Kështu që ky protokoll që po e nënshkruajmë sot do të parandalojë rastet të reja të apatridit.”, - theksoi shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Uahl.