Maqedoni

Ligji për përfaqësim adekuat, Sali: S’mund të manipulohet, shqyrtojmë aspektin penal

28.04.2026 15:16

Ligji për përfaqësim të drejtë është përgatitur nga ekspertët, thotë numri dy i Qeverisë, Bekim Sali...

Ligji për përfaqësim të drejtë është përgatitur nga ekspertët, thotë numri dy i Qeverisë, Bekim Sali, sipas të cilit, ai është një hap drejt plotësimit real të të drejtave të shqiptarëve  dhe të gjitha bashkësive tjera në vend. Ligji nuk do të manipulohet, shton Sali, ndërkaq në të ardhmen do të bisedohet nëse do të ketë masa ndëshkuese për ata që nuk e respektojnë ligjin. Sali njëherësh thekson se në periudhën prej kur është hequr balancuesi, përfaqësimi i shqiptarëve në institucione është rritur për 0.5%. 
 
“Mendoj se trupi koordinues që do të jetë i formuar nga Qeveria i ka ingerencat e plota që të ndërmarrë masën për të miratuar  akte nënligjore me të cilat mund të parashihen edhe gjoba. Qëllimi i ligjit nuk është të gjobitet një drejtor, ministër  në aspektin financiar, por gjoba do të jetë publike dhe politike që mendoj se gjoba politike për një drejtues të institucionit është me e madhe se gjoba materiale. Pothuaj se dy vite funksionojmë pa balancues dhe pa ligjin dhe kemi rritje në përfaqësimin e shqiptare në Administratë Publike prej 0.5% Tash parashtrojmë pyetjen: në çka u bazuam ne, me cilën e rritëm numrin e administratorëve për 0.5%. As balancues, as ligj. E kur do të kemi ligj, ai do të jetë obligim edhe më i madh për ekzekutivin.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Bekim Sali.
 
Jurisprudenca në shqip, Sali: Ekipi punon, vijon konkretizimi i hapave
 
Sali foli edhe për jurisprudencën në shqip. Tha se ekipi punon dhe vijon takimi koordinues pas së cilit konkretizohen hapat e mëtejmë. Në këtë çështje nuk përzihet politika, nënvizoi Sali.
 
“Me këtë çështje merren ekspertë të drejtësisë kushtetuese. Kështu që, ne si politikanë nuk na takon të ndërhyjmë në këtë proces, ua kemi lënë në dorë atyre, ata do ta zgjidhin problemin. Derisa punohet, nuk kemi dashur të ndërhyjmë, nuk i kemi konsultuar, për arsye se i kemi  lënë ata ta zgjidhin problemin dhe të na e ofrojnë neve si zgjidhje konkrete.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Bekim Sali. 
 
Rokas: E ndjekim rastin, presim rezultatet
 
Euroambasadori Rokas tha se çështja e jurisprudencës në shqip e ngritur nga studentët po ndiqet për së afërmi nga delegacioni i BE-së në Shkup. 
 
“Nuk ka ligj të veçantë për çështjen e gjuhëve, shtetet anëtare kanë ligjet e tyre vetanake. Kam takuar përfaqësues të studentëve dhe këshilla jonë është se zgjidhja duhet të gjendet nën frymën e kushtetutës së vendit  dhe ligjeve. Nëse ligjet duhet të ndryshohen, siç tha zëvendëskryeministri, dhe, ekspertët po punojnë në të, ne po presim rezultatet. Ne e ndjekim këtë çështje për së afërmi.”, - theksoi euroambasadori, Mihalis Rokas.
 
Kujtojmë se mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë protestuan më 6 prill në Shkup, duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU