Maqedoni

Dita botërore e sigurisë në punë, sindikalistët kërkojnë mbrojtje më të madhe

28.04.2026 15:32

Dita botërore e shëndetit dhe sigurisë në punë e gjen vendin me statistika shqetësuese të numrit të lëndimeve dhe fatkeqësive në vendin e punës....

Dita botërore e shëndetit dhe sigurisë në punë e gjen vendin me statistika shqetësuese të numrit të lëndimeve dhe fatkeqësive në vendin e punës. Ditë më parë, gjatë punimeve ndërtimore në Kisella Vodë, tragjikisht një punëtor ndërtimi humbi jetën, ndërsa  4 të tjerë u lënduan. Sindikata për Ndërtimtari apelon se raportet janë katastrofale, kërkon përmirësim në drejtim të zbatimit të ligjeve dhe kontrollit të investitorëve dhe punëdhënësve, shpreh edhe pakënaqësi ndaj inspektimeve të Inspektoratit Shtetëror të Punës. 
 
“Le të mos i anashkalojmë përkrah investitorëve edhe zbatuesit kryesorë,  edhe organin mbikëqyrës, i cili definitivisht nuk ka kryer inspektim, që të kemi rast tragjik, siç kishim para tre ditësh në komunën e Kisella Vodës. Të mos i ikë përgjegjësisë as inspektori i ndërtimit i komunës, gjithashtu edhe inspektori i ndërtimit i Inspektoratit Shtetëror të Punës. Në fund të ditës ka më shumë fajtorë dhe nuk dua të besoj në tregim me përfundim se fajtor ka qenë vet punëtori, ashtu siç me vite me radhë e shohim, e them me keqardhje se ai që vdes është fajtor.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës për Ndërtimtari, Ivan Peshevski. 
 
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës lidhur me raportin e fundit të Inspektoratit Shtetëror të Punës për vitin 2025, thotë se numri i lëndimeve në vendin e punës është ulur krahasuar me vitin paraprak. Edhe pse ka mungesë kuadri, me vetëm 124 inspektorë, numri i inspektimeve është rritur. 
 
“Krahasuar me të dhënat e vitit 2024, kemi ulje të rasteve të lëndimeve gjatë punës me pasojë vdekje, 13 kundrejt 8 rasteve, gjegjësisht 5 raste më pak në vitin 2025, për sigurinë dhe shëndetin në punë, të planifikuara për vitin 2025 ishin 8.922 inspektime, ndërsa janë realizuar 10.748, me çka kemi dhe rritje të inspektimeve  për 20%.”, - theksoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Gani Maksuti. 
 
Duhet të punohet edhe në drejtim që të mbrohet edhe shëndeti fizik, por edhe mendor i punëtorëve, apelohet nga Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë. 
 
“2.049 ankesa të regjistruara për lëndime, mes të cilave 5 fatkeqësi kolektive, 8 raste vdekjeje nga të cilat 5 në kantiere ndërtimi. Të dhënat jozyrtare flasin për 4 herë më shumë raste të vdekjes për vitin 2025. A do të thotë kjo se mjaftueshëm i jemi përkushtuar çështjes? Siguria dhe shëndeti nuk duhet të bëhen çështje dhe titull vetëm kur ndodhin tragjedi dhe kur vdesin punëtorët.”, - u shpreh kryetarja e Këshillit Nacional për SShP, Jasmina Qallovska.  
 
Organizata botërore e punës dhe Agjencia Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë kanë adresuar mesazh të fuqishëm, që të sigurohet ambient i sigurt psikosocial. 
 
ARLINDA BAFTIU