Maqedoni
Shfuqizimi i Qeverisë teknike, LSDM kundër, tërhiqet nga grupi punues
28.04.2026 15:41
LSDM-ja mbetet në qëndrimin se pa Qeveri teknike nuk mund të garantohen zgjedhje të drejta dhe demokratike....

LSDM-ja mbetet në qëndrimin se pa Qeveri teknike nuk mund të garantohen zgjedhje të drejta dhe demokratike. Kryetari Venko Filipçe njoftoi se deputetët e LSDM-së tërhiqen nga grupi punues për Kodin Zgjedhor dhe se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar shfuqizimin e Qeverisë teknike.
“Ne po e braktisim vetëm punën në grupin punues për Kodin Zgjedhor, sepse Ligji i ri për Qeverinë, i cili po miratohet në këtë mënyrë, përfaqëson një kufizim të demokracisë në vend. Pse? Sepse nuk janë pjekur kushtet për të hequr Qeverinë teknike. Nëse një qeveri, një ligj për Qeveri teknike është miratuar me konsensus në vitin 2016, është rikthyer sërish me kërkesë personale të Hristijan Mickoskit në vitin 2018 dhe në ligj qartë thuhet se kjo do të vlejë deri në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Lëvizja “E di” akuzon LSDM-në për skenar bllokues
Nga partia “E di”, ndërkaq akuzojnë socialdemokratët për një skenar të braktisjes së Kuvendit nga ana e deputetëve të tyre.
“A është qëllimi bllokimi i punës për Kodin Zgjedhor, a po përgatitet një skenar për braktisjen e Kuvendit dhe paralizimin e institucioneve, a është arsyeja e vërtetë frika nga humbja në zgjedhje dhe a bëhet fjalë për një strategji për ruajtjen e pozicioneve të brendshme fraksioniste?”, - u shpreh zëdhënësi i Lëvizjes “E di”, Nikolla Memov.
VMRO-DPMNE-ja nuk heq dorë nga shfuqizimi i Qeverisë teknike. Kryeministri Mickoski ka deklaruar se është çështje e LSDM-së për bojkotin, por nuk pret krizë politike. BDI mbetet aktive në ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ndryshimet ligjore parashohin heqjen e Qeverisë teknike pas zgjedhjeve, pasi pushteti vlerëson se institucionet janë të gatshme për zgjedhje demokratike.
ARMEND MURSELI
