Maqedoni
Kasami: Në Tetovë, sektor i veçantë për mjedisin
28.04.2026 15:51
Komuna e Tetovës do të themelojë një sektor të veçantë për mjedisin dhe energjinë në kuadër të saj....

Komuna e Tetovës do të themelojë një sektor të veçantë për mjedisin dhe energjinë në kuadër të saj. Kështu deklaroi sot kryetari i Tetovës, Bilall Kasami. Sipas tij, ky sektor do të jetë një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e politikave më efikase dhe për një planifikim më të mirë të së ardhmes së qytetit. Ai theksoi se me krijimin e këtij sektori të veçantë, komuna do ta ketë më të lehtë të identifikojë ndotësit e ambientit.
“Me themelimin e sektorit për ambient jetësor dhe energjetik, sigurisht se do të kemi një veprimtari dhe aktivitet më të koordinuar në drejtim të mbrojtjes së ambientit jetësor. Po ashtu, kapacitetet e këtij sektori do të duhet të rriten në të ardhmen, si në aspektin e punonjësve që do të merren me këtë problematikë, ashtu edhe në kuadër të inspektoratit. Bëhet fjalë për një çështje komplekse, e cila nënkupton ndërhyrje institucionale, nga identifikimi i ndotësve dhe deponive, te rritja e kapaciteteve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, deri te vetëdijesimi i qytetarëve, të cilët janë faktorë kyçë në përmirësimin e ambientit.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Hoxha: Do të nisë ndërtimi i deponisë rajonale në Rusino
Nga ana tjetër, ministri i Ambientit Jetësor, Muhamed Hoxha, u bëri thirrje edhe komunave të tjera të ndjekin shembullin e Tetovës për krijimin e njësive të veçanta për mbrojtjen e mjedisit. Ai paralajmëroi gjithashtu se këtë vit pritet të nisë ndërtimi i deponisë rajonale në Rusino.
“I inkurajoj të gjitha komunat që të ndërmarrin hapa të tillë. Ne, si Ministri e Ambientit Jetësor do të jemi mbështetës të iniciativave të tilla. Prioritet i Ministrisë mbetet zgjidhja e problemit me mbetjet. Po punojmë për zgjidhje afatgjate, përkatësisht për ndërtimin e qendrave rajonale për grumbullimin e mbeturinave. Aktualisht jemi në përgatitje të dokumentacionit për shpalljen e thirrjes për përzgjedhjen e operatorit ekonomik, që do të fillojë me ndërtimin e qendrave të para rajonale, të cilat do të jenë në Rusino dhe Novaci.”, - theksoi ministri i Ambientit Jetësor, Muhamed Hoxha.
Këto komente, Kasami dhe Hoxha i bënë gjatë një takimi me përfaqësues të organizatës “Multikultura” në Tetovë, ku u diskutua tema “Identifikimi i sfidave ekologjike të Komunës së Tetovës”.
VISAR SADIKI
