Botë

Sulmet e NATO-s mbi Serbi, përvjetori i 16-të nga Marrëveshja e Kumanovës

09.06.2015 12:22

Sot është përvjetori i 16-të nga nënshkrimi i Marrëveshjes ushtarako-teknike në Kumanovë, që i dha fund bombardimeve të NATO-s mbi Republikën Federale të Jugosllavisë...

Me këtë marrëveshje, Serbia u detyrua të tërheq të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Marrëveshja u arrit pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila zgjati për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të shumta diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, e cila la mbi 10 mijë njerëz të vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion të zhvendosur. 

Shkatërrimet materiale po ashtu ishin masive. Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e parë të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havijer Sollana, me 10 qershor 1999 lëshoi urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, me të cilën u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë u shpërbë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.