Deklaratat e Kos dhe Vaic, Sali: Përkujtojnë obligimet për reformat

28.04.2026 16:30

Zëvendëskryeministri Bekim Sali thotë se deklaratën e eurokomesares për zgjerim, Marta Kos...

Zëvendëskryeministri Bekim Sali thotë se deklaratën e eurokomesares për zgjerim, Marta Kos, dhe raportuesit për RMV-në në PE, Tomas Vaic, se vendi duhet t’i përmbushë kushtet në mënyrë që t’i thithë fondet evropiane në kuadër të Planit për Rritjen e Ballkanit Perëndimor, kanë qëllime preventive se duhet të punojmë më me vendosmëri në plotësimin e 10 pikave.

Por, Sali thotë se Qeveria po punon në të gjitha sferat.

“Në këtë fazë i kemi 10 pika, 10 hapa të cilat janë kritike, për arsye se janë në fazën e periudhës“grejs”. Kjo ka të bëjë deri në fund të qershorit, që kemi edhe dy muaj. Deri më tani nga 10 pikë, 5 i kemi veç më të përmbushur dhe në 4 pika funksionojmë dhe jemi duke u koordinuar për t’i plotësuar ato obligime që i kemi marrë përsipër, dhe, natyrisht jashtë këtyre hapave, kemi edhe hapa tjera të cilat janë në fazën reale për t’u plotësuar. Ato nuk janë futur në periudhën “grejs”, që do të thotë se edhe nëse nuk plotësohen deri në qershor, atëherë ato kanë afat deri në fund të vitit t’i plotësojmë, duke mos humbur qasjen tonë deri tek fondet e Komisionit Evropian, të cilat janë të garantuara për çdo pikë në veçanti.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Bekim Sali.

Rokas: Pa reforma, paratë humben

Edhe euromabasadori Mihalis Rokas, në vijë të njëjtë me zëvendëskryeministrin Sali. Shton se Qeveria po bën përpjekje për t’u angazhuar në suaza të afateve.

“Mund ta konfirmoj atë që tha zëvendëskryeministri Sali. Ekzistojnë 10 hapa për t’u përfunduar deri në fund të qershorit, ku periudha “grejs” për plotësimin e kushteve u prolongua nga qershori i kaluar. Kështu funksionon sistemi i agjendës reformuese dhe, nëse skadon, paratë do të humben. Tani Qeveria dhe ministrat kompetentë punojnë intensivisht që ta arrijnë këtë. Paralajmërimet nga eurokomesarja Kos nuk ishin vetëm për RMV-në, por edhe për vendet tjera nga Ballkani Perëndimor, t’i plotësojnë reformat nga agjenda.”, - theksoi euroambasadori, Mihalis Rokas.

Ndryshe, raportuesi për RMV-në në PE, Tomas Vaic, për medien bullgare ka thënë se gjatë vitit të fundit në vendin tonë nuk është shënuar asnjë përparim, asnjë reformë. Sipas tij, nuk bëhet fjalë vetëm për fillimin e negociatave, që lidhen me ndryshimet kushtetuese, por edhe për agjendën reformuese, për Planin e Rritjes. Nëse vendi nuk i zbaton reformat e nevojshme, rrezikon humbjen e 47 milionë eurove, ka shtuar Vaic. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)