VLEN-i drejt kongresit të 9 majit, dy kryetarët me nënshkrim të lidhur
Koalicioni VLEN po bën përgatitjet e fundit drejt mbajtjes...

Koalicioni VLEN po bën përgatitjet e fundit drejt mbajtjes së kongresit të 9 majit për shkrirjen në një parti. Subjekti politik do të ketë dy bashkëkryetarë, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin; nënkryetarë Bekim Qoku dhe Mimoza Musa; ndërkaq Bekim Sali, sekretar i përgjithshëm.
Vendimet brenda partisë do të merren me konsensus, u tha në takimin jozyrtar me gazetarë. Selia e partisë do të jetë në Shkup.
“Kryesia e ngushtë do të marrë vendime me konsensus, katër ndaj një. Bashkëkryetarët do të kenë nënshkrim të lidhur për marrjen e vendimeve dhe kompetenca të përbashkëta. Secila parti do të ketë pjesëmarrje prej 20% përbrenda subjektit të ri politik. E njëjta frymë demokratike do të vlejë edhe në përzgjedhjen e kryetarëve të degëve partiake.”, - thonë nga koalicioni VLEN.
Rikonstruimi i Qeverisë, zgjerimet eventuale, diskutabile
Pas finalizimit të partisë, dyert e saj do të jenë të hapura për anëtarë të ri, përfshi edhe eshalonin e dytë dhe të tretë të strukturës së BDI-së. Pritet të shihet nëse edhe deputeti Ilir Demiri përfundimisht do t’i bashkëngjitet VLEN-it.
Njoftojnë se rikonstruimi i Qeverisë do të ndodhë kah mesi i muajit qershor, por diskutabile mbeten zgjerimet e reja.
“Nëse kryeministri Hristijan Mickoski vendos në vazhdimin e bashkëpunimit me Arben Fetain dhe Fatmir Limanin është vendimi i tij, por jo edhe propozimi ynë. Zgjerimi i Qeverisë me partinë e Selës apo të Taravarit për momentin nuk është i nevojshëm, pasi që kemi afër 80 deputetë.”, thonë nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se kërkesa e LSDM-së për tërheqjen e ligjit për Qeverinë teknike është e paarsyeshme duke mohuar rrëshqitjen e vendit në një krizë të re politike. Ndërkaq, sa i takon ligjit për ndalesën e dyshtetësisë pohojnë se po punojnë ekspertët që ligji të mos bie ndesh me Kushtetutën. Ndërkaq për iniciativën e BDI-së për mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshime kushtetuese, konsiderojnë se për ndryshime të tilla nevojitet konsensus i gjerë politik. (Meral Ismaili, TVM2)
