Maqedoni
Nedellkov: Mosrespektimi i ligjeve, sfidë e sindikatave
29.04.2026 14:03
Mosrespektimi i mjaftueshëm i disa dispozitave ligjore dhe interpretimi i lirë i tyre...

Mosrespektimi i mjaftueshëm i disa dispozitave ligjore dhe interpretimi i lirë i tyre, të përcaktuara në marrëveshjet kolektive, mbeten ndër problemet më të mëdha me të cilat përballen organizatat sindikale në realizimin e të drejtave të punëtorëve në vend. Kështu u shpreh kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov, në konferencën me temë “Politikat e punës dhe kontratat kolektive - korniza ligjore, zbatimi dhe sfidat”.
“Në përgjithësi kemi ligje që i përfshijnë të gjitha të drejtat e punëtorëve. Këto ligje janë të rirregulluara më tej me marrëveshjet kolektive, ku është përcaktuar saktësisht se çfarë u takon punëtorëve. Por, në thelb, ajo që i pengon sindikatës është qasja në interpretimin e marrëveshjes kolektive, përkatësisht mosrespektimi i dispozitave si Ligji për Marrëdhënie Pune, i cili përcakton se për kë janë të zbatueshme dhe për kë vlejnë marrëveshjet kolektive të sektorit, ashtu edhe nga drejtorët që duhet t’i zbatojnë ato kontrata kolektive, por nuk i respektojnë. Kjo, për ne, është një nga problemet më të mëdha dhe më të dhimbshme.”, - deklaroi kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.
Risteski: Synojmë forcimin e të drejtave të punëtorëve
Por, edhe përfaqësuesit e SAShK-ut edhe ekzekutivi bien dakord se të gjitha të drejtat e punëtorëve mund të arrihen vetëm përmes dialogut social. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, thotë se ka përparim të madh në nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive në sektorin publik. Ai premton se do të vazhdohet edhe më tej me përpjekjet për të forcuar të drejtat e punëtorëve. Kjo, sipas numrit dy të ekonomisë dhe punës, pritet të arrihet edhe përmes miratimit të Ligjit të ri për Marrëdhënie Pune.
“Shumë shpejt do të formohet një grup pune dhe aty ku procesi ka ngecur, do të zhbllokohet dhe do të vazhdojë në fazën e radhës. Presim që, në një perspektivë të mirë, deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, të kemi një ligj të ri me konsensus të përgjithshëm, si nga punëtorët e përfaqësuar përmes sindikatave, ashtu edhe nga punëdhënësit.”, - theksoi zëvendësministri në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski.
Konferenca në fjalë u organizua në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Punëtorëve - 1 Maji.
REXHEP QAMILI
