Maqedoni
Avokati i Popullit: 96 fëmijë viktima të veprave penale
29.04.2026 14:10
Vitin e kaluar, në vend janë evidentuar 96 raste të fëmijëve viktima të veprave penale kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual, prej të cilave 88 janë vajza dhe 8 djem....

Vitin e kaluar, në vend janë evidentuar 96 raste të fëmijëve viktima të veprave penale kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual, prej të cilave 88 janë vajza dhe 8 djem. Vepra më e shpeshtë penale mbetet përdhunimi i fëmijëve nën moshën 15 vjeç, me gjithsej 48 viktima. Këto të dhëna i prezantoi zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska, e cila tha se abuzimi seksual i fëmijëve paraqet një problem të vazhdueshëm dhe sistemik. Edhe pse ekziston një kornizë formale ligjore dhe strategjike, sistemi për mbrojtjen e fëmijëve viktima nuk ofron mbështetje të vazhdueshme, në kohë dhe të përshtatur, duke respektuar parimin e interesit më të mirë të fëmijës, tha ajo.
“Në periudhën 2020 - 2024 janë evidentuar 508 raste të abuzimit seksual të fëmijëve, prej të cilave 455 janë vajza viktima dhe 53 djem. Pjesa më e madhe e rasteve i referohen veprave të rënda penale, si, marrëdhënie seksuale me fëmijë nën moshën 15 vjeç, ku kemi gjithsej 186 raste, sulm seksual dhe përdhunim 99 raste, si dhe bashkëjetesë jashtëmartesore me të mitur, gjithsej 96 raste. Gjatë vitit 2025, në vend janë evidentuar edhe 96 raste të reja të fëmijëve viktima të veprave penale kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual, prej të cilave 88 janë vajza dhe 8 djem. Edhe në këtë rast, vepra më e shpeshtë penale mbetet përdhunimi i fëmijëve nën moshën 15 vjeç, me gjithsej 48 viktima.”, - deklaroi zëvendësavokatja e Popullit, Vaska Bajramovska.
Zyra e Avokatit të Popullit dyshon se numri i djemve viktima mund të jetë më i madh sesa ai i treguar nga rezultatet e analizës së saj, për shkak të turpit dhe stigmës në shoqëri. Mbi 55% e viktimave janë fëmijë të moshës 10-15 vjeç, ndërsa rreth 90% e viktimave janë vajza. Sipas përkatësisë etnike, numri më i madh i viktimave janë maqedonas, ndërsa të dytët për nga numri janë fëmijët romë.
“Kjo paraqet një alarm serioz për veprim të menjëhershëm dhe sistemik, veçanërisht në pjesën e parandalimit dhe të identifikimit të hershëm të rreziqeve. Si denoncues më të shpeshtë të rasteve paraqiten prindërit ose institucionet shëndetësore, ndërsa më rrallë institucionet arsimore, gjë që tregon nevojën për forcimin e rolit edukativ dhe mbrojtës të shkollave dhe qendrave për punë sociale.”, - theksoi zëvendësavokatja e Popullit, Vaska Bajramovska.
Në këtë analizë janë evidentuar gjithashtu raste të ngacmimit seksual, shfaqje e materialeve pornografike, si dhe prodhimi i pornografisë me fëmijë. Analiza e Avokatit të Popullit për keqpërdorimin seksual është mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.
REXHEP QAMILI
