Maqedoni

Komiteti për Investime Publike, mekanizëm i ri për projektet kapitale

29.04.2026 14:29

RMV-ja po bën një hap që për një kohë të gjatë ka munguar në sistemin e menaxhimit të investimeve publike...

Me formimin e Komitetit për Investime Publike, RMV-ja po bën një hap që për një kohë të gjatë ka munguar në sistemin e menaxhimit të investimeve publike, tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, në takimin e parë të këtij Komiteti. Me formimin e këtij Komiteti, shteti vendos një mekanizëm të ri, më të fortë dhe më të përgjegjshëm për vendimmarrje, i cili nuk udhëhiqet nga improvizime, por nga kritere të qarta, vizion dhe strategji, thekson kryeministri. 
 
“Për herë të parë po fillojmë një praktikë të re, praktikë evropiane, ku të gjithë ne do të kemi mundësi që ta shohim realizimin e investimeve të mëdha publike apo projekte kapitale. Shuma e përgjithshme që në këtë moment është pjesë e këtij dokumenti është diku rreth 200 miliardë denarë, ose 3.3 miliardë euro për periudhën e ardhshme 5-vjeçare.  Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë të lidhura me ndërtimtarinë dhe nëse këtë shifër e ndajmë në 5 vite në mënyrë proporcionale, do t’i bie mbi 600 milionë euro për secilin vit. Qëllimin të cilin e vendosim është i qartë: çdo denar nga buxheti të drejtohet aty ku krijon vlerën më të madhe.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, theksoi se kjo është metodë e re e organizimit dhe sjelljes së vendimeve për projektet e mëdha kapitale, të cilat kapin vlerën e mbi 5 milionë eurosh.
 
“Bëhet fjalë për një metodë të re të organizimit dhe sjelljes së vendimeve, kur të bëhet fjalë për projektet kapitale të cilat janë në vlerë mbi 5 milionë euro. Pra, sot flasim për projekt-ide, të cilat do të jenë në listën përfundimtare, por jo për projekte për të cilat tanimë janë siguruar mjetet buxhetore, por vetëm projektet ku anëtarët e Komitetit mendojnë se janë të rëndësishme dhe me prioritet.”, - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
 
Sipas kryeministrit Mickoski dhe ministres Dimitrieska Koçoska, lista e ideve të projekteve që po shqyrtojmë janë: në transport, për hekurudha moderne, lokomotiva të reja elektrike, rindërtim të segmenteve dhe lidhje përmes korridoreve 8 dhe 10; në arsim, përfundimin e objekteve të Fakultetit për Edukatë Fizike, Sport dhe Shëndet, si dhe Universitetit “Nënë Tereza”; në shëndetësi, investimet në spitalet klinike rajonale në Tetovë, Shtip dhe Kërçovë; në transformimin digjital, krijimin e një qendre shtetërore të të dhënave; në energjetikë, projekte që forcojnë pavarësinë energjetike. 
 
FITIM KRYEZIU