Rajon

Kuvendi nuk zgjodhi presidentin, Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme

29.04.2026 14:46

Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin, prandaj Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare....

Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin, prandaj Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Sipas afatit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të mos zgjedhjes së presidentit deri në mesnatën e 28 prillit, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe mbetet që ushtruesja e detyrës së presidentes, në konsultim me partitë politike, ta shpallë datën e zgjedhjeve brenda 45 ditësh. 
 
“Kjo seancë shënon fundin e këtij procesi dhe fundin e kësaj legjislature, fatkeqësisht. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues.”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
 
Për moszgjedhjen e presidentes, kryeministri Albin Kurti ka bërë fajtor opozitën, e cila nuk e mundësoi kuorumin prej 80 deputetësh, i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
 
“Kosova si shtet i pavarur, si republikë demokratike, mund të ketë presidente të re, mirëpo ajo që mungon është opozita aty, e cila me sjelljen e saj joshtetërore, antiinstitucionale, me bojkotin dhe me bllokimin, pamundësoi konsumimin e raundit të parë për të vazhduar me raundin e dytë dhe të tretë.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Por, akuzat e Kurtit i hedhin poshtë partitë opozitare, sipas të cilave përgjegjëse për moszgjedhjen e presidentit është Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti. 
 
“Në thelb kishim një parti politike dhe një kryetar të saj, i cili në njërën anë është i pangopur me pushtet, i do të gjitha, dhe në anën tjetër është i paaftë të arrijë kompromis minimal.”, - theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
 
“Ai në vazhdimësi ka përdorur gjuhë ofenduese, fyese ndaj subjekteve opozitare, duke përfshirë edhe PDK-në, por ne kemi vlerësuar se duhet ta ndërtojmë dhe ta hapim një kapitull të ri, e kemi tejkaluar dhe kemi pasur qasje me shumë konstruktivitet, me qëllim që të kontribuojmë në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës.”, - u shpreh Arian Tahiri nga PDK.
 
“Kryeministri i Kosovës e përdori, respektivisht e keqpërdori foltoren, duke e goditur skajshmërisht opozitën, duke u munduar ta hedh fajin tek subjektet politike opozitare në një gjendje bukur dëshpëruese dhe bukur tronditëse, të cilën e solli vet në Kosovë.”, - deklaroi Besnik Tahiri nga AAK.
 
Risi në këto zgjedhje pritet të jetë ajo se ish-presidentja Vjosa Osmani pritet të garojë në listë të përbashkët me LDK-në, si kandidate e kësaj partie për presidente. Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu ka nisur përgatitjet për shpalljen e datës së zgjedhjeve, për çka ka thirrur në konsultim kreun e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për të vazhduar konsultimet edhe me krerët e partive politike. 
 
GYLTENE SINANI