Rajon
Shqipëri, bazë për prodhimin e anijeve luftarake
29.04.2026 15:00
Shqipëria pritet të ketë një bazë të saj të prodhimit të anijeve luftarake në Pashaliman të Vlorës....

Shqipëria pritet të ketë një bazë të saj të prodhimit të anijeve luftarake në Pashaliman të Vlorës. Marrëveshja u nënshkrua sot mes kompanisë KAYO dhe një prej kompanive lider në këtë sektor, italianes Finkantieri. Dy anijet e para që do të prodhohen në Pashaliman do të jenë për Forcat tona të Armatosura, duke e çuar numrin total të flotës shqiptare në 7.
“Në termat e përcaktuara nga statusi ynë madhor, po sigurisht dhe me NATO-n është një numër optimal, për sa i përket peshës dhe përgjegjësisë së Shqipërisë në Mesdhe dhe më pas sigurisht prodhimi do të vazhdojë më tej për të eksportuar këto anije, aty ku sigurisht është e qartë që teknologjia e re dhe inovacioni që do të shoqërojë këtë rrugëtim, do të implementohet.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se kantieri do të hapë qindra vende pune.
“Rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier të ri, i cili është një gur themeli, jo vetëm për prodhimin industrial, por edhe për punësimin e të rinjve dhe të rejave për një teknologji të fjalës së fundit që do zhvillohet në Vlorë.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Marrëveshja e sotme është një prej të shumtave që kompania shtetërore KAYO ka firmosur, që nga prodhimi i mjeteve ushtarake, uniformave deri te dronët luftarakë.
LULJETA NDOKA
