Maqedoni

Iniciativa për ndryshimet kushtetuese, Mickoski: BDI le të zgjidhë problemet e brendshme

29.04.2026 15:10

Mickoski ka komentuar nismën e Frontit Evropian për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim nisjen e procesit të ndryshimeve kushtetuese...

Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar nismën e Frontit Evropian, përkatësisht BDI-së, për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim nisjen e procesit të ndryshimeve kushtetuese. Ai theksoi se BDI duhet të fokusohet në problemet e brendshme, si me kuadrin dhe programin e saj, ndërsa çështjet shtetërore, sipas tij, janë përgjegjësi e Qeverisë.
 
“BDI kishte mundësi ta bënte atë kur ishte në Qeveri, 20 vjet ishte në Qeveri. Kështu që mendoj që BDI ka problem me kuadrot dhe programin. Unë do t’u sugjeroja ta zgjidhin problemin me kuadrot dhe programin, ndërsa problemet shtetërore do t’i zgjidhë Qeveria që ka legjitimitet nga qytetarët.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
LSDM: VMRO do t’i fusë bullgarët në Kushtetutë
 
Nga ana tjetër, LSDM reagoi se VMRO tani paralajmëron përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, ndonëse më parë i akuzonte për “tradhti” dhe “shitje të identitetit”.
 
“VMRO-OKG vetë po paralajmëron se do t’i fusë bullgarët në Kushtetutë. Ky është kulmi i hipokrizisë dhe gënjeshtrave të Mickoskit dhe VMRO-së. Nga premtimi parazgjedhor se do ta anulonte Marrëveshjen e Prespës dhe do ta kthente emrin, te “do të presim me dekada”, e deri te “do t’i fusim”, gjithçka është mashtrim i pastër ndaj qytetarëve të vet. Qytetarët e shohin qartë: VMRO-OKG nuk i mbron interesat maqedonase. Ata mbrojnë vetëm interesat e tyre të biznesit dhe pushtetin e tyre.”, - thonë nga LSDM.
 
Dy ditë më parë Bashkimi Demokratik për Integrim njoftoi nisjen e procedurës për mbledhjen e nënshkrimeve për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, ku siç thanë, çdo deputet ka mundësi të përcaktohet qartë për zhbllokimin e procedurës ose për bllokimin e rrugës evropiane.
 
ARMEND MURSELI