Maqedoni
Presidenti zviceran në Shkup, mbështetje perspektivës evropiane të vendit
29.04.2026 15:19
Integrimi evropian, stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor, ka vëmendjen edhe të Zvicrës...

Integrimi evropian, stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor, ka vëmendjen edhe të Zvicrës, tha presidenti i kësaj konfederate, Gi Parmelan, pas takimit me shefen e shtetit, Siljanovska Davkova. Duke dhënë mbështetjen shtetërore dhe financiare në rrugëtimin e vendit në BE, Parmelan shpalosi se në takim dypalësh është potencuar edhe rëndësia e sundimit të ligjit në vend, efikasiteti i institucioneve, duke shtuar se Zvicra i jep rëndësi të madhe paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, që njëherësh për Zvicrën, Evropa Juglindore është prioritet i politikës së jashtme, tha Parmelan.
“Integrimi evropian, siç tha presidentja, mbetet faktor kyç për paqen dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Zvicra për së afërmi ndjek perspektivat evropiane të këtyre vendeve dhe i mbështet në masën që është interes yni. Programi zviceran për bashkëpunim ka për qëllim që ta mbështesë Maqedoninë e Veriut drejt integrimit evropian dhe zhvillim afatgjatë.”, - deklaroi presidenti i Konfederatës Zvicerane, Gi Parmelan.
Siljanovska Davkova: Integrimi në BE, nën kushtet e Kopenhagës
Kryetarja e shtetit, Siljanovska Davkova, ashtu si në fjalimet e përditshme, nënvizoi rëndësinë e kushteve të Kopenhagës kur bëhet fjalë për integrimin e vendit. Ndërkohë shtoi se nga shteti zviceran mund të mësohet modeli i një vendi të vogël shumëgjuhësor, demokracia dhe tejkalimi i dallimeve.
“Potencova rëndësinë e kushteve të Kopenhagës për evropianizimin tonë. Konkludova se kjo është shtëpia jona natyrore, dhe se gjeografikisht, kulturalisht kemi qenë pjesë e Evropës dhe aty e kemi vendin. Atë që kërkojmë është që të trajtohemi si të tjerët, të koncentrohemi në sfidat reformuese dhe mos ta humbim energjinë në çështje iracionale.”, - theksoi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Mes dy bashkëbiseduesve është folur edhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si në arsim, kulturë e sport. Si president i parë zviceran që viziton vendin tonë që nga pavarësia, Parmelan është takuar edhe me zyrtarë tjerë shtetëror.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
