Trendafillov: Më 1 maj punëtorët do të protestojnë
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, Ditën ndërkombëtare të punëtorëve...

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, Ditën ndërkombëtare të punëtorëve - 1 Majin, do ta shënojë me protesta. Punëtorët kërkojnë paga më të larta, sepse rritja e çmimeve u ndikon negativisht në standardin jetësor, thotë kryesindikalisti.
“Do t’i theksojmë kërkesat tona që janë kryesore gjatë periudhës së kaluar, siç është mosrritja e pagës minimale nga ana e Qeverisë dhe nga ana e punëdhënësve si e drejtë ekzistenciale e punëtorëve, sepse më shumë se 260 mijë punëtorë në vend sipas të dhënave të fundit nga Drejtoria e të Ardhurave Publike jetojnë me paga nën 600 euro. Kjo do të thotë që më shumë se 50 për qind e punonjësve marrin të ardhura nën nivelin e kërkuar nga sindikatat si paga minimale, gjë që tregon një problem serioz me standardet e jetesës së punëtorëve. Andaj u bëj thirrje punëtorëve për aktivitet dhe angazhim më të madh për 1 maj.”, - deklaroi Sllobodan Trendafillov nga LSM.
Sindikata për Arsim Shkencë dhe Kulturë: Nuk protestojmë, kemi zgjedhur rrugën e dialogut
Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë njoftoi se nuk do t'i bashkohen protestës së punëtorëve, të organizuar nga LSM-ja, më 1 Maj. Nga kjo sindikatë thonë se kanë zgjedhur rrugën e dialogut social dhe negociatave dhe se rezultatet i arrijnë në tryezë.
“Në përgjithësi kemi ligje që mbulojnë të gjitha të drejtat e punëtorëve, ato ligje rregullohen me marrëveshje kolektive, ku punëtorëve u specifikohet se çfarë u takon. Në përgjithësi, ajo që e shqetëson sindikatën, nënshkruesin e marrëveshjes kolektive, është qasja ndaj interpretimit të marrëveshjes kolektive, domethënë, dispozitat e ligjit të punës që përcaktojnë se për kë zbatohen marrëveshjet kolektive sektoriale, domethënë për kë zbatohen, nuk respektohen, dhe të paktën jo nga drejtorët të cilët si punëdhënës të parë, duhet t'i zbatojnë ato marrëveshje kolektive, dhe ata duhet t'i respektojnë dhe zbatojnë dispozitat e marrëveshjeve kolektive për të gjithë punonjësit, gjë që ligji i punës dhe shkenca nuk e thonë.”, - deklaroi kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.
Gjatë muajit të kaluar, Qeveria me një pjesë të Sindikatave kanë nënshkruar marrëveshje kolektive që parashikohet rritja e pagave gjatë dy viteve të ardhshme që do të kryhet në faza dhe do të arrijë në 40 për qind. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
