Propozim-ligji për Qeveri, përplasje të reja midis opozitës dhe pushtetit

29.04.2026 16:06

Përplasje të reja në procesimin e propozim-ligjit për Qeveri...

Përplasje të reja në procesimin e propozim-ligjit për Qeveri në seancë plenare. Deputetët e Frontit Evropian kërkuan që seanca të ndërpritet dhe propozimi t’i dorëzohet për shqyrtim komitetit për marrëdhënie midis bashkësive.

Deputetja e Frontit, Rina Ajdari, konsideron se Qeveria teknike përpos elementeve teknike dhe organizative të zgjedhjeve prek edhe besimin midis bashkësive, balancën politike dhe perceptimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që opozita të mos majorizohet kërkoi që votimi të bëhet me badinter.

“Duke pasur parasysh se ky propozim-ligj prek në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëdhëniet ndërmjet bashkësive dhe mund të ketë ndikim në përfaqësimin e tyre politik dhe institucional, është e domosdoshme që i njëjti të shqyrtohet në komitetin për marrëdhënie midis bashkësive si trup kompetent për këto çështje.”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.

Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski, insistoi që kërkesën për ndërprerje të seancës dhe dorëzimin e propozim-ligjit në duar të komitetit për marrëdhënie midis bashkësive insistoi ta hedhë në votim. Ai për këtë u thirr në rregullat e Kuvendit.

“Unë jam i obliguar që propozimin tuaj ta vë në votim dhe Kuvendi të vendosë nëse e pranon propozimin tuaj që seanca të ndërpritet.”, - theksoi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski.

Kjo u kundërshtua nga deputetja Ajdari. Deputeti Adnan Azizi nga Koalicioni VLEN kërkoi nga Fronti Evropian të mos bëjnë shou dhe dalin me kërkesa të paqëndrueshme.

“Kur është sjell ligji për Qeverinë teknike, nuk ka kaluar nëpërmjet komitetit, por nëpërmjet komisionit për sistem politik. Edhe shfuqizimi duhet të shkojë nëpërmjet të njëjtës linjë.”, - u shpreh deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi.

Ndërkaq grupi parlamentar i LSDM-së kërkoi që ta shqyrtojë propozimin. Paraprakisht, në një konferencë për media, socialdemokratët edhe njëherë kërkuan që të mbetet në funksion Qeveria teknike.

“Përderisa ishte në opozitë, pikërisht Hristijan Mickoski dhe partia e tij kërkonin dhe këmbëngulnin që Qeveria teknike të ekzistojë deri në hyrjen e Maqedonisë në BE, si garanci për demokraci, sundimin e së drejtës dhe zgjedhje fer. Kjo u vendos në ligj. Tani, kur është në pushtet, po i njëjti Mickoski ndryshon qëndrimin dhe rrënon këtë obligim ligjor në mënyrë kontrabanduese, pa konsensus, me procedurë të shkurtër në Kuvend.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.

Ndërkaq nga VMRO-DPMNE u shprehën se Qeveria teknike duhet të shfuqizohet. (Meral Ismaili, TVM2)