Maqedoni
Gostivar, investime në spitalin “Ferid Murad”
29.04.2026 16:12
Aliu gjatë vizitës së sotme në Gostivar njoftoi për realizimin e një projekti të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës në shëndetësi...

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë vizitës së sotme në Gostivar njoftoi për realizimin e një projekti të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës në shëndetësi, me fokus të veçantë në repartin për nëna dhe fëmijë. Në prani edhe të ministrit, të ambasadores së Gjermanisë, Petra Dreksler, dhe përfaqësuesve të Projektit HOPE, u promovua pajisja e re mjekësore për repartin gjinekologjik-obstetrik në spitalin “Ferid Murad” në Gostivar. Ministri Aliu theksoi se bëhet fjalë për një donacion që do të përmirësojë ndjeshëm shërbimet shëndetësore dhe do të sigurojë kujdes më të madh për nënat e ardhshme dhe të porsalindurit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Projektit HOPE, të cilët erdhën nga Gjermania, theksuan se qëllimi i tyre është të përmirësojnë kujdesin shëndetësor për të porsalindurit dhe nënat, dhe se me aktivitetet kanë filluar para dhjetë vitesh. Ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler, vlerësoi se ky është një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet kur të gjithë bashkëpunojnë.
Spitali i Gostivarit, përmes Projektit HOPE, ka marrë dy karrige për lindje, aparat CTG, aparat ekografik, aspirator, inkubator për foshnja dhe disa pajisje të tjera mjekësore me vlerë rreth 130 mijë dollarë amerikanë.
Në repartin gjinekologjik-obstetrik në spitalin e Gostivarit, çdo vit realizohen mbi 400 lindje dhe rreth një mijë kontrolle dhe ndërhyrje.
LULZIM AZIRI
